TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Korrik 2026, 22:18

Ngjarje e rëndë në Itali, policia ‘mbyt’ 43-vjeçarin gjatë arrestimit! (Video)

Shkruar nga Pamfleti

Ngjarje e rëndë në Itali, policia ‘mbyt’

Një 43-vjeçar me origjinë marokene humbi jetën gjatë një ndërhyrjeje të policisë në lagjen Pilastro të Bolonjës, në Itali, ngjarje që ka nxitur reagime të forta dhe ka vënë në lëvizje autoritetet hetimore. Sipas mediave italiane, policia u thirr në rrugën Via Svevo pas denoncimeve të banorëve, të cilët raportuan se burri po sillej në mënyrë të çrregullt në zonën e garazheve të një pallati.

Në vendngjarje mbërritën patrullat e policisë dhe një ekip i urgjencës mjekësore. Sipas informacionit paraprak, 43-vjeçari, i identifikuar si Abderrahim Fakir, goditi automjetin e policisë. Më pas, efektivët përdorën sprej irritues dhe e neutralizuan duke i vendosur pranga plastike. Pak çaste më vonë, ai shfaqi shenja të një përkeqësimi të gjendjes shëndetësore dhe ndërroi jetë.

Ndërkohë, në rrjetet sociale është publikuar një video e filmuar nga banorët e zonës, ku shihen momentet e ndërhyrjes së policisë. Në pamje dëgjohen thirrjet e 43-vjeçarit për ndihmë, ndërsa dy policë e mbajnë të shtrirë me fytyrë nga toka duke u përpjekur t'i lidhin duart pas shpine. Një person tjetër, që dyshohet të jetë banor i pallatit, i mban këmbët, ndërsa pranë ndodhen edhe dy punonjës të urgjencës.


Sipas dëshmitarëve, pas disa minutash Fakir pushoi së rezistuari dhe humbi ndjenjat. Njëri prej efektivëve tentoi të kontrollonte gjendjen e tij, por ai nuk reagoi.


Familjarët kanë ngritur akuza të rënda ndaj policisë. Motra e viktimës deklaroi për mediat italiane se nuk do të ndalet derisa të zbardhet e vërteta për vdekjen e vëllait të saj.

"Nuk do të gjej paqe derisa vëllai im të marrë drejtësi. Nuk e dimë çfarë ka ndodhur. Na telefonuan vetëm për të na thënë se kishte vdekur. E prangosën dhe ai vdiq. Ata e sulmuan, e rrahën. Ka dëshmitarë", u shpreh ajo.

Edhe një banor i pallatit, i cili tha se ishte dëshmitar i ngjarjes, deklaroi se 43-vjeçari kërkonte vazhdimisht ndihmë.

"Ai vetëm thërriste 'ndihmë'. Ishte i shqetësuar, por nuk po bënte asgjë tjetër. Pas britmave, dikush nga pallati njoftoi policinë", tha ai.

Abderrahim Fakir ishte sipërmarrës në sektorin e logjistikës, i martuar dhe banonte në Borgonuovo di Sasso Marconi, pranë Bolonjës. Ditën e ngjarjes ai ndodhej në Via Svevo për të vizituar disa të afërm.

Prokuroria ka urdhëruar kryerjen e autopsisë për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes, ndërsa hetimet për rrethanat e ngjarjes janë në vijim. Burimet zyrtare nuk kanë dalë ende me një përfundim mbi përgjegjësitë e mundshme.

43 vjeçari arrestimi

Lini një Përgjigje