
Dy persona humbën jetën, mes tyre një shqiptar, ndërsa një tjetër u plagos në një aksident tragjik në Rrugën Shtetërore Appia 7, në zonën e Pastoranos, në Itali.
Viktimat janë një shtetas shqiptar 42-vjeçar dhe një 69-vjeçar italian. Ndërkohë, një tjetër shqiptar, që udhëtonte në automjetin komercial, mbeti i plagosur rëndë dhe u transportua në spitalin e Casertës. Sipas mediave italiane, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ende nuk janë bërë të ditur identitetet e dy shqiptarëve të përfshirë në aksident.
Aksidenti ndodhi rreth orës 13:50 të ditës së djeshme, mes pikës së pagesës së autostradës Capua dhe daljeve Pignataro Maggiore. Në aksident u përfshinë një automjet tip "Fiat Stilo" dhe një automjet komercial "Piaggio Porter".
Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, "Piaggio Porter" hyri në Rrugën Shtetërore Appia nga një rrugë dytësore dhe u godit nga "Fiat Stilo", i cili po lëvizte me shpejtësi.
Në vendngjarje ndërhynë zjarrfikësit e Casertës, të cilët nxorën personat e bllokuar nga automjetet dhe ua dorëzuan ekipeve mjekësore. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të tyre, dy drejtuesit e mjeteve nuk arritën t'u mbijetonin plagëve.
Pas aksidentit, Rruga Shtetërore Appia 7 u mbyll përkohësisht, ndërsa autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e plota të ngjarjes.
Lini një Përgjigje