TAGS-AT E JAVËS

Kronike20 Korrik 2026, 15:35

Rrëmbyen dhe dhunuan të riun për qiranë e papaguar të dy makinave, arrestohen 3 persona në Lezhë

Shkruar nga Pamfleti

Rrëmbyen dhe dhunuan të riun për qiranë e papaguar të

Një 28-vjeçar është marrë me forcë, është dhunuar dhe më pas është lënë në rrugë, pas një konflikti për pagesën e qirasë së dy automjeteve.

Policia e Lezhës arrestoi tre persona të dyshuar si autorë të ngjarjes. Në pranga ranë dy vëllezër, R. M., 28 vjeç dhe R. M., 22 vjeç, administratorë të subjektit ku ishin marrë makinat me qira, si dhe kushëriri i tyre, E. M., 22 vjeç.

Sipas hetimeve paraprake, tre të rinjtë e kanë marrë me forcë 28-vjeçarin në një karburant në fshatin Derven, me pretendimin se ai nuk kishte shlyer detyrimet financiare për dy automjetet e marra me qira.

Më pas ata e kanë transportuar në një karburant në fshatin Shënkoll, ku dyshohet se e kanë dhunuar fizikisht dhe më pas e kanë lënë në rrugë.

Ngjarja u zbulua pasi babai i 28-vjeçarit, një 70-vjeçar, denoncoi në Polici se djali i tij ishte marrë me forcë nga disa persona.

Pas kallëzimit, efektivët e Policisë së Lezhës identifikuan dhe arrestuan tre të dyshuarit brenda pak minutash. Gjatë operacionit u sekuestrua edhe automjeti me të cilin ishte transportuar i riu.

28-vjeçari mori ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Lezhës dhe u largua në banesë, jashtë rrezikut për jetën.

Prokuroria ka nisur hetimet për veprat penale "Heqja e paligjshme e lirisë", "Vetëgjyqësia" dhe "Dëmtime të tjera me dashje", të kryera në bashkëpunim.

“Morën me forcë, në automjet, dhe dhunuan një 28-vjeçar, me pretendimin se nuk kishte paguar qiratë, për 2 automjete të marra në subjektin e tyre, arrestohen 2 vëllezër (administratorë të subjektit) dhe kushëriri i tyre.

Sekuestrohet automjeti në të cilin u mor me forcë, dhe u transportua nga Kruja në Lezhë, 28-vjeçari.

Si rezultat i administrimit të shpejtë të kallëzimit të një 70-vjeçari, se djali i tij, 28 vjeç, ishte marrë me forcë, në automjet, dhe transportuar, nga disa shtetas, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë mundësuan identifikimin, lokalizimin dhe kapjen, pak minuta pas kallëzimit, të 3 autorëve të dyshuar të rastit, shtetasve R. M., 28 vjeç dhe R. M., 22 vjeç, vëllezër, si dhe kushëririt të tyre, shtetasit E. M., 22 vjeç.

Nga hetimet e deritanishme dyshohet se 3 shtetasit, me vetëgjyqësi, kanë marrë me forcë, në automjet, 28-vjeçarin, në një karburant në fshatin Derven, me pretendimin se ky i fundit nuk kishte paguar paratë, për 2 automjete të marra me qira, në subjektin që administronin 2 vëllezërit e arrestuar.

3 shtetasit e kanë transportuar 28-vjeçarin te një karburant në fshatin Shënkoll, ku e kanë dhunuar dhe më pas e kanë lënë në rrugë.

28-vjeçari u transportua në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku mori asistencën e nevojshme mjekësore dhe u largua në banesë, jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Vetëgjyqësia” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”, kryer në bashkëpunim”, njoftoi policia.

Lini një Përgjigje