TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet20 Korrik 2026, 21:18

"Ika me 2 euro në xhep", emigranti nga Gjermania 'shpërthen' ndaj Ramës: Na vrave shpresën!

Shkruar nga Pamfleti

"Ika me 2 euro në xhep", emigranti nga Gjermania

Një emigrant i ardhur nga Gjermania mori fjalën në protestën kundër qeverisë, e cila sot shënoi ditën e saj të 51-të.

I shoqëruar nga vajza e tij e vogël, ai tha se kishte udhëtuar drejt Shqipërisë për t'iu bashkuar protestuesve dhe për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë.

Në fjalën e tij, emigranti rrëfeu se u largua nga vendi në vitin 2015 si azilkërkues, duke deklaruar se në momentin e nisjes kishte vetëm 2 euro në xhep. Sipas tij, mungesa e shpresës për një të ardhme në Shqipëri ishte arsyeja që e shtyu të emigronte.

"Kur ika në vitin 2015 mora me vete djalin 7-muajsh, ndërsa vajza ime lindi jashtë Shqipërisë. Kisha vetëm 2 euro në xhep. Sot kam ardhur këtu për t'i thënë Ramës: jep dorëheqjen, sepse na vrave shpresën", deklaroi qytetari.

Emigranti u ndal edhe te familja e tij, duke thënë se dëshiron që fëmijët të rriten me dashurinë për vendin e tyre.

"Fëmijëve duhet t'u mësojmë atdhedashurinë. Shqipëria është e të gjithëve dhe duhet ta respektojmë", u shpreh protestuesi.

Në fund të fjalës, ai rikujtoi vështirësitë e emigrimit, duke thënë se mbërriti në aeroportin e Hamburgut me "2 euro e 30 cent" dhe përsëriti kritikat ndaj kryeministrit.

"Kur zbrita në Hamburg kisha vetëm 2 euro e 30 cent. U detyrova të largohem, por besoj se një ditë të gjithë ata që kanë përgjegjësi për këtë situatë do të japin llogari", tha emigranti.

Protesta kundër qeverisë vijon prej 51 ditësh, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur se tubimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

Lini një Përgjigje