TAGS-AT E JAVËS

Kronike21 Korrik 2026, 12:37

Detaje nga atentati në Elbasan/ Autori përdori maskë silikoni dhe paruke, objektiv dyshohet nipi i "Ot Kilës"

Shkruar nga Pamfleti
Detaje nga atentati në Elbasan/ Autori përdori maskë silikoni dhe
Pamje nga vendngjarja

Autori i atentatit në Elbasan dyshohet se përdori maskë silikoni, paruke dhe doreza për të fshehur identitetin, ndërsa hetimet paraprake kanë ngritur dyshimet se objektivi i sulmit ishte nipi i Kastriot Kilës, i njohur si "Ot Kila".

Zbardhen detaje të reja nga atentati i ndodhur në Elbasan, ku mbetën të plagosur Armando Tomorrica, Renaldo Mançe dhe Biorgi Hoxha. Sipas burimeve hetimore, objektivi i sulmit dyshohet të ketë qenë nipi i Kastriot Kilës, i njohur si "Ot Kila".

Sipas gazetares Klodiana Lala, autori i dyshuar kishte marrë masa për të mos u identifikuar. Ai ishte maskuar me maskë silikoni dhe paruke me flokë të gjatë, ndërsa mbante veshur rroba të zeza, xhup të errët dhe doreza.

Hetuesit dyshojnë se sulmi është organizuar me kujdes për të shmangur lënien e gjurmëve. Aktualisht, grupi hetimor po analizon pamjet e kamerave të sigurisë dhe provat e sekuestruara në vendngjarje, me qëllim identifikimin e autorit dhe zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes.

Sipas burimeve, pista kryesore e hetimit lidhet me konflikte të mëparshme dhe përplasje mes grupeve kriminale. Deri tani, Policia nuk ka dalë me një njoftim zyrtar mbi identitetin e autorit apo motivin e sulmit.

Kastriot Kila, i njohur si "Ot Kila", është një emër i njohur për autoritetet dhe prej vitesh është përmendur në konfliktet kriminale në Elbasan. Ai konsiderohet kundërshtar i Suel Çelës, i cili, sipas dosjeve hetimore, dyshohet se ka porositur disa atentate ndaj tij. Në të njëjtin konflikt është përmendur edhe Bledar Muça, i njohur si person i afërt me grupin e Çapjave, i cili pasi i shpëtoi dy atentateve në Elbasan, u ekzekutua në Belgjikë në vitin 2022.

Në dosjet e drejtësisë është përmendur edhe një atentat i dyshuar ndaj Elton Kilës, për të cilin ishte angazhuar si vrasës me pagesë Nuredin Dumani. Ky atentat nuk u realizua, pasi Dumani u plagos pranë Cërrikut dhe më pas u arrestua, duke marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.

Si ndodhi ngjarja?

Sipas hetimeve paraprake, Armando Tomorrica dhe Renaldo Mançe ndodheshin të ulur në verandën e një lokali, së bashku me kamarierin Biorgi Hoxha. Në një moment, autori është afruar pranë tavolinës dhe, sipas dëshmitarëve, fillimisht i ka ofenduar verbalisht. Më pas ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të tyre, duke i lënë të plagosur të tre.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, ekspertët e Policisë Shkencore sekuestruan 6 gëzhoja, të cilat do t'i nënshtrohen ekzaminimeve balistike. Të plagosurit morën ndihmën e parë në Spitalin Rajonal të Elbasanit, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të atentatit.

Lini një Përgjigje