TAGS-AT E JAVËS

Kronike21 Korrik 2026, 10:17

Zbardhen detaje të reja nga plagosja në Elbasan: Objektivi ishin dy të rinjtë, kamarieri u plagos aksidentalisht

Shkruar nga Pamfleti

Zbardhen detaje të reja nga plagosja në Elbasan: Objektivi ishin dy

Zbardhen detaje të reja kanë dalë nga hetimet për plagosjen me armë zjarri të tre personave mbrëmjen e së dielës në lagjen "Vullnetari" (Banesat) në Elbasan.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, objektiv i sulmit dyshohet se kanë qenë Armando Tomorrica dhe Renaldo Mançe. Ndërsa Biorgi Hoxha, 19 vjeç, kamarier në lokalin ku ndodhi ngjarja, dyshohet se është plagosur aksidentalisht gjatë të shtënave.

Nga hetimet paraprake rezulton se autori i dyshuar kishte pasur më herët një konflikt me Tomorricën dhe Mançen, çka dyshohet të ketë shërbyer si motiv për sulmin.

Sipas rindërtimit të ngjarjes, dy të rinjtë ndodheshin të ulur në verandën e lokalit së bashku me kamarierin, kur autori iu afrua. Dëshmitarët kanë deklaruar se fillimisht ai i ka ofenduar verbalisht dhe më pas ka nxjerrë armën, duke qëlluar disa herë në drejtim të tyre.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, ekspertët e Policisë Shkencore sekuestruan gjashtë gëzhoja, të cilat do t'i nënshtrohen ekspertizës balistike për të ndihmuar në identifikimin e autorit dhe sqarimin e plotë të rrethanave.

Tre të plagosurit u transportuan fillimisht në Spitalin Rajonal të Elbasanit, ku morën ndihmën mjekësore. Burime spitalore bëjnë me dije se, pasi u trajtuan dhe rezultuan jashtë rrezikut për jetën, ata janë larguar nga spitali dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

Ndërkohë, autori i dyshuar nuk është arrestuar ende. Policia e Elbasanit vijon kontrollet në terren dhe hetimet intensive për lokalizimin e tij, ndërsa, nën drejtimin e Prokurorisë, po dokumentohen të gjitha rrethanat e ngjarjes.

Lini një Përgjigje