TAGS-AT E JAVËS

Forum24 Korrik 2026, 14:50

Tabela e çmimeve, krahasuar me 2013-ën

Shkruar nga Lutfi Dervishi
Tabela e çmimeve, krahasuar me 2013-ën
Lutfi Dervishi

Ekonomia mund të jetë rritur në letra. Edhe pagat mund të jenë rritur në statistika. Por për shumicën e njerëzve është si të mbushësh një kovë me ujë, kur fundi i saj është i çarë.

Sipas krahasimeve të fundit me mesataren e Bashkimit Europian, në vitin 2013 çmimet në Shqipëri ishin rreth 68% e mesatares europiane. Sot janë rreth 103.8%. Zyrtarisht, nuk jemi më një vend i lirë.

Prej vitesh na tregojnë grafikë për rritjen e PBB-së, pagës minimale, pagës mesatare dhe pensioneve. Të gjitha me shigjeta që ngjiten lart. Krahasimi bëhet gjithmonë me vitin 2013. Dhe shifrat nuk gënjejnë. Por të kujtojnë atë shprehjen shkodrane: “Lum çfarë ndëgjoj, mjer çfarë shoh!”

Paga minimale neto u rrit nga rreth 19 mijë lekë në vitin 2013 në 35.5 mijë lekë në vitin 2025, ose 87%. Në letër duket një rritje e respektueshme. Në dyqan, historia është tjetër.

Po, ka produkte që janë shtrenjtuar më pak se paga minimale: vaji i lulediellit (+33%), mishi i derrit (+48%) dhe portokallet (+74%). Për to, paga e fitoi garën.
Por shumica e produkteve bazë ecën shumë më shpejt. Djathi u rrit 243%, veza 192%, fasulet 150%, mollët 146%, kastravecët 137%, makaronat 132%, vaji i ullirit 122%, orizi 112%, ndërsa mishi i viçit u dyfishua.
Për një familje që blen çdo javë bukë, qumësht, vezë, djathë dhe mish, kostoja e jetesës është rritur më shpejt se paga.
Edhe më e fortë bëhet kjo tablo te pensionistët. Pensioni mesatar u rrit nga 14 mijë në rreth 20 mijë lekë, vetëm 43%. Krahasuar me këtë ritëm, pothuajse çdo produkt bazë i shportës është shtrenjtuar shumë më tepër. Djathi afro gjashtë herë më shpejt, veza dhe fasulet tre deri katër herë më shpejt, ndërsa buka, qumështi, orizi dhe makaronat rreth dy deri në tre herë më shpejt.

Ka edhe një shifër që nuk ka nevojë për supermarket.

Nga viti 2020 deri në vitin 2025, paga neto mesatare e deputetit u rrit 126%. Në të njëjtën periudhë, paga minimale neto u rrit 54%, pensioni mesatar 28% dhe pensioni minimal vetëm 18%.

Pra, ndërsa qytetarët ndiqnin me ankth rritjen e çmimeve të bukës, djathit dhe vezëve, ata që votojnë buxhetin e shtetit panë pagat e tyre të rriteshin më shpejt se të çdo grupi tjetër.

Ekonomia mund të jetë rritur në letra. Edhe pagat mund të jenë rritur në statistika. Por për shumicën e njerëzve është si të mbushësh një kovë me ujë, kur fundi i saj është i çarë.

GDP-ja nuk hahet, grafikët nuk gatuhen dhe krahasimi me vitin 2013 nuk bind askënd që del çdo ditë për pazar.

Tabela e çmimeve, krahasuar me 2013-ënTabela e çmimeve, krahasuar me 2013-ën

listat e cmimeve

Lini një Përgjigje