TAGS-AT E JAVËS

Kronike24 Korrik 2026, 14:46

Vrasja e çiftit të të moshuarve në Dropull, Prokuroria kërkon 30 vite burg për autorin 72 vjeçar

Shkruar nga Pamfleti
Vrasja e çiftit të të moshuarve në Dropull, Prokuroria
Foto e Thoma Mastorës dhe vendit të ngjarjes

Prokuroria e Gjirokastrës ka kërkuar dënimin me 30 vite burg për 72-vjeçarin Thoma Mastora, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortëve Kosta dhe Kleoniqi Ilia, ngjarje e ndodhur në maj të vitit 2024 në Dropull.

Pretenca u paraqit në përfundim të procesit gjyqësor. Sipas Prokurorisë, provat e administruara gjatë hetimit mbështesin akuzën ndaj Mastorës për vrasjen e dy të moshuarve në fshatin Bodrishtë.

72-vjeçari akuzohet për veprën penale "Vrasja në rrethana të tjera cilësuese", ndërsa organi i akuzës i ka kërkuar Gjykatës së Gjirokastrës dënimin me 30 vite heqje lirie.

Ngjarja ndodhi më 2 maj 2024. Sipas dosjes hetimore, konflikti nisi brenda banesës së çiftit të të moshuarve dhe më pas u përshkallëzua, duke çuar në përdorimin e sendeve të forta.

Pas krimit, Mastora, i cili në atë kohë ishte 69 vjeç, u largua nga banesa. Ndërkohë, Kosta Ilia, 80 vjeç, dhe bashkëshortja e tij, Kleoniqi Ilia, 84 vjeç, u gjetën pa shenja jete. Tashmë pritet vendimi i Gjykatës së Gjirokastrës lidhur me kërkesën e Prokurorisë për dënimin e të pandehurit.

"Prokuroria Gjirokastër kërkon 30 vite burgim për shtetasin Th.M. për vrasjen e çiftit të të moshuarve në Dropull. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Gjirokastër, në përfundim të hetimeve dhe shqyrtimit gjyqësor kërkon 30 vite burg për shtetasin Th. M. i akuzuar për veprën penale ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’ parashikuar nga neni 79/dh i Kodit Penal. Hetimet mbi procedimin penal nr.240, të vitit 2024, arritën në përfundimin se i pandehuri Th.M., është fajtor dhe Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër në paraqitjen e diskutimit përfundimtar kërkon dënimin e tij me 30 vite burgim për vrasjen e çiftit të të moshuarve K.I. dhe K.I., në fshatin Bodrishtë, Dropull. Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, shpreh angazhimin e plotë për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër jetës dhe shëndetit", njofton Prokuroria.

Lini një Përgjigje