TAGS-AT E JAVËS

Kronike24 Korrik 2026, 12:42

“Mos u afroni se do të vras veten”/ Drejtori i policisë: Refit Buzi vijon të bëjë rezistencë, kërcënon se do të vetëvritet

Shkruar nga Pamfleti
“Mos u afroni se do të vras veten”/ Drejtori i policisë:
Vrasja në Roskovec

Drejtori i Policisë së Fierit, Erion Ahmeti, ka dhënë detaje të reja lidhur me situatën e autorit të dyshuar të ngjarjes së rëndë, i cili vazhdon të jetë i rrethuar nga forcat e policisë.

Sipas Ahmetit, 35-vjeçari vijon të kundërshtojë dorëzimin dhe ka kërcënuar se do t’i japë fund jetës nëse policia i afrohet.

“Autori i dyshuar vijon të bëjë rezistencë, duke kërcënuar: ‘Mos m’u afroni se do të vras veten’”, u shpreh drejtori i Policisë së Fierit.

Ai bëri të ditur se familjarët nuk janë përfshirë në negociatat për dorëzimin e të dyshuarit, ndërsa policia ka ngritur një perimetër të gjerë sigurie për ta mbajtur situatën nën kontroll.

“Është krijuar një perimetër i gjerë për lokalizimin e tij”, tha Ahmeti, duke shtuar se negociatat për dorëzimin po zhvillohen nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit.

Sipas të dhënave paraprake, 35-vjeçari Refit Buzi dyshohet se vrau ish-vjehrrin e tij, plagosi ish-vjehrrën dhe më pas mori me forcë ish-bashkëshorten.

Pista kryesore e hetimit lidhet me konfliktet pas ndarjes së çiftit. Dyshohet se 35-vjeçari nuk e pranonte ndarjen e kërkuar nga ish-bashkëshortja dhe se kjo mund të ketë qenë një nga shkaqet që çoi në përshkallëzimin e ngjarjes.

Paralelisht, hetuesit po verifikojnë edhe një pistë të dytë, që lidhet me marrëdhëniet familjare dhe çështje ekonomike mes palëve. Sipas informacioneve paraprake, Refit Buzi kishte jetuar më parë në Angli dhe dyshohet se dërgonte para për vajzën e tij.

Policia po punon për të zbardhur nëse këto konflikte kanë ndikuar në ngjarjen e rëndë, ndërsa operacioni për kapjen e 35-vjeçarit vijon. Ai dyshohet se u largua nga vendi i krimit pas sulmit.

Ngjarja ndodhi mëngjesin e së premtes në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku mbeti i vrarë Kosta Plaka, ndërsa bashkëshortja e tij, Belere Plaka, u plagos. Ish-bashkëshortja e autorit të dyshuar dyshohet se u mor me forcë dhe u largua nga vendngjarja.

 

Lini një Përgjigje