Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë një deklaratë të fortë ndaj yllit të basketbollit LeBron James, duke e cilësuar atë si “racist” gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë.
Trump u pyet nëse LeBron James konsiderohet lojtari më i mirë në historinë e NBA-së, por presidenti amerikan zgjodhi të mbështesë Michael Jordan si basketbollistin më të madh të të gjitha kohërave. Ai theksoi se ka një marrëdhënie miqësore me Jordan dhe se luajnë së bashku golf.
“Michael Jordan është një mik i imi. Luaj golf me të. Ai është një djalë vërtet i mirë. Mendoj se LeBron është racist, nuk më pëlqen mua. Nuk e di. Mua më pëlqejnë vetëm njerëzit që më pëlqejnë mua, kështu që do të zgjidhja Michael Jordan në fund të fundit”, deklaroi Trump.
Deklarata e presidentit amerikan erdhi vetëm pak orë pasi LeBron James bëri të ditur se do të vazhdojë karrierën e tij në NBA me skuadrën e Philadelphia 76ers, me objektivin për të fituar titullin e pestë kampion në karrierë.
James nuk ka reaguar ende ndaj komenteve të Trump, por përplasjet mes tyre kanë një histori të gjatë. Basketbollisti amerikan ka qenë një kritik i hapur i presidentit dhe ka mbështetur publikisht kandidatët demokratë Hillary Clinton, Joe Biden dhe Kamala Harris në garat presidenciale kundër tij.
Në vitin 2017, LeBron James e quajti Trumpin “një endacak” gjatë debatit për vendimin e presidentit për të mos ftuar disa ekipe kampione të NBA-së në Shtëpinë e Bardhë.
Pavarësisht polemikave jashtë fushës, LeBron James mbetet një nga lojtarët më të mëdhenj në historinë e basketbollit. Ai ka fituar katër tituj kampion në NBA me Miami Heat, Cleveland Cavaliers dhe Los Angeles Lakers, është shpallur katër herë MVP i sezonit dhe mban rekordin historik për më shumë pikë të shënuara dhe më shumë ndeshje të zhvilluara në ligë.
Nga ana tjetër, Michael Jordan, i cilësuar nga Trump si më i madhi i të gjitha kohërave, fitoi gjashtë tituj kampion me Chicago Bulls dhe u shpall pesë herë MVP i NBA-së gjatë karrierës së tij legjendare.
Lini një Përgjigje