Lorent Tolaj ka lënë menjëherë gjurmë te Bristol Siti, duke shkëlqyer në paraqitjen e tij të parë me fanellën e klubit anglez. Sulmuesi shqiptar ishte protagonisti absolut në fitoren 3-1 ndaj Suindonit në një ndeshje miqësore.
24-vjeçari u aktivizua në minutën e 56-të dhe nuk humbi kohë për të treguar vlerat e tij. Vetëm pak çaste pasi hyri në fushë, Tolaj realizoi golin e barazimit, duke i dhënë ekipit të tij shtysën për të përmbysur rezultatin.
Forma e tij e shkëlqyer vazhdoi edhe në minutën e 76-të, kur shënoi sërish, kësaj radhe golin e avantazhit, duke vulosur një debutim ëndrrash. Bristol Siti më pas siguroi edhe golin e tretë, duke triumfuar 3-1.
Tolaj iu bashkua Bristol Sitit vetëm pak ditë më parë, pas transferimit nga Plimuthi për rreth 5 milionë euro, ndërsa debutimi i tij ka rritur menjëherë entuziazmin te tifozët e klubit.
Sulmuesi mbetet gjithashtu një emër me interes për Kombëtaren shqiptare. Ai ka të drejtën të përfaqësojë Shqipërinë, pasi deri më tani nuk është grumbulluar asnjëherë me ekipin e parë të Zvicrës, duke lënë të hapur mundësinë që në të ardhmen të veshë fanellën kuqezi.
Lini një Përgjigje