Leandro Paredes ka folur për herë të parë hapur për humbjen e Argjentinës në finalen e Kupës së Botës ndaj Spanjës, duke hedhur poshtë të gjitha teoritë e konspiracionit që qarkulluan pas ndeshjes.
Në një intervistë për “ESPN”, të cituar nga “Goal.com”, mesfushori argjentinas pranoi se Spanja ishte skuadra më e mirë në finale dhe e meritoi plotësisht titullin botëror, ndërsa theksoi se kombëtarja argjentinase nuk i kushton rëndësi spekulimeve që u përhapën në rrjetet sociale.
“Nëse do të dëgjoja gjithçka që thuhet, do të çmendesha. Çfarë nuk u tha para, gjatë dhe pas Botërorit… Ne zhvilluam një Kampionat Botëror të shkëlqyer”, u shpreh Paredes.
Futbollisti i Boka zhuniors analizoi me sinqeritet edhe finalen e humbur, duke pranuar epërsinë e kundërshtarit.
“Spanja ishte superiore ndaj nesh në finale, ata janë fitues të merituar. Ajo që na mbetet ne është të vlerësojmë atë që arritëm gjatë këtyre tetë viteve. Ishte një cikël spektakolar, një kënaqësi e madhe të ishe pjesë e tij dhe jam i bindur se me kalimin e kohës do ta kuptojmë edhe më mirë vlerën e kësaj periudhe.”
Finalja e Botërorit u fitua nga Spanja me rezultatin 1-0, duke i dhënë "La Roja"-s titullin e dytë në historinë e saj. Megjithatë, ndeshja nuk u mbyll pa tensione.
Menjëherë pas fishkëllimës së fundit, Paredes u përfshi në një përplasje me futbollistët spanjollë. Sipas raportimeve, ai kapi për fyti Erik Garsian, ndërsa Gavi, që ndërhyri për të mbrojtur shokun e skuadrës, përfundoi në tokë gjatë incidentit.
Fillimisht u fol për një karton të kuq ndaj mesfushorit argjentinas, por raporti zyrtar i FIFA-s e ndëshkoi vetëm me karton të verdhë. Paredes nuk ka shprehur pendesë publike për episodin, ndërsa më pas u rikthye të luante me Boka Zhuniors.
Gjithashtu, ai zbuloi se kishte luajtur fazën e fundit të Botërorit me një frakturë të lehtë në brinjë.
“Ditët e para ishin të vështira për shkak të frakturës, por tani ndihem shumë më mirë”, tha ai.
Pas finales u përhapën teori të shumta konspirative në internet, por Paredes i konsideron ato vetëm zhurmë mediatike. Për të, e vetmja e vërtetë është se Spanja ishte skuadra më e mirë në finalen e madhe, ndërsa Argjentina duhet të jetë krenare për ciklin e jashtëzakonshëm tetëvjeçar që ndërtoi, pavarësisht zhgënjimit të humbjes në ndeshjen vendimtare.
Lini një Përgjigje