TAGS-AT E JAVËS

Sport25 Korrik 2026, 20:27

Ish-ylli i Bundesligës punon tokën në Majorka, tragjedia familjare e detyroi të “var këpucët në gozhdë”

Shkruar nga Pamfleti
Ish-ylli i Bundesligës punon tokën në Majorka, tragjedia
Ish-mesfushori slloven, Kevin Kampl

Kevin Kampl i ka dhënë fund karrierës së tij si futbollist profesionist, duke marrë një vendim që nuk lidhet me futbollin, por me dy tragjedi të rënda familjare që ndryshuan jetën e tij.

Ish-mesfushori i kombëtares së Sllovenisë vendosi të largohej nga fushat pas humbjes së vëllait të madh, Sekiut, i cili ishte jo vetëm familjar, por edhe njeriu më i afërt në jetën e tij. Dhimbja u bë edhe më e madhe shtatë muaj më vonë, kur ndërroi jetë edhe babai i tij.

35-vjeçari, i cili gjatë karrierës veshi fanellat e Bajer Leverkusenit, Borusias së Dortmundit dhe Lajpcigut, e përshkroi këtë periudhë si më të vështirën që ka përjetuar ndonjëherë.

"Ka qenë një vit i tmerrshëm, nuk ka fjalë të tjera për ta përshkruar. Jeta duhet të vazhdojë, ndonëse është ende shumë e vështirë të pranosh gjithçka që ka ndodhur", u shpreh Kampl në një intervistë për të përditshmen gjermane “Bild”.

Ish-ylli i Bundesligës punon tokën në Majorka, tragjedia

Për të nisur një kapitull të ri dhe për të gjetur qetësi, Kampl është zhvendosur në ishullin e Majorkës së bashku me bashkëshorten Vanesa dhe dy djemtë e tyre, Xhordi dhe Luis. Aty ai ka lënë pas jetën e futbollistit profesionist dhe i është përkushtuar fermës familjare.

Në vend të atmosferës së stadiumeve, ai tashmë merret me kultivimin e frutave dhe perimeve. Në rrjetet sociale, ish-mesfushori publikon shpesh pamje nga përditshmëria e tij, ku shfaqet duke korrur pjepra, shalqinj, domate, speca dhe qepë. Familja prodhon gjithashtu edhe vaj ulliri.

"Gjithçka po rritet me ritme të çmendura", shkroi Kampl në një nga postimet e tij, duke treguar entuziazmin për jetën e re larg futbollit.

Megjithatë, lidhja e tij me futbollin mbetet e fortë. Kampl vazhdon të ndjekë nga afër ndeshjet e Lajpcigut, skuadër me të cilën zhvilloi mbi 250 ndeshje dhe fitoi trofe të rëndësishëm. Ai nuk e fsheh dëshirën që një ditë të rikthehet në klub në një rol të ri.

"Një ditë, do të jem trajner te Lajpcigu", deklaroi ai me bindje.

Ish-ylli i Bundesligës punon tokën në Majorka, tragjedia

Pas një karriere të suksesshme dhe dy humbjeve të rënda familjare, Kevin Kampl ka zgjedhur një jetë më të qetë, pranë familjes dhe natyrës, duke gjetur paqen larg dritave të futbollit profesionist.

kevin kampl ish-mesfushori slloven

Lini një Përgjigje