Majkëll Olize pritet të jetë një nga emrat më të kërkuar në merkaton e kësaj vere. Sipas gazetarit Santi Aouna, sulmuesi francez ka shprehur dëshirën për të veshur fanellën e Realit të Madridit, pasi beson se “Santiago Bernabeu” është skena ideale për të bërë hapin e radhës në karrierën e tij.
Sipas raportimeve, drejtuesit e Realit të Madridit janë në dijeni të dëshirës së 23-vjeçarit dhe po analizojnë mundësinë e një transferimi gjatë kësaj vere. Madje, klubi madrilen thuhet se është gati ta konsiderojë Olize si një nga investimet më të mëdha të realizuara ndonjëherë nga “Los Blancos”.
Megjithatë, rruga drejt këtij transferimi nuk do të jetë e lehtë. Bajerni i Mynihut ka një qëndrim të qartë dhe e konsideron francezin si një lojtar të paprekshëm, duke mos pasur aktualisht asnjë plan për të negociuar largimin e tij.
Pavarësisht kësaj, kampionët e Gjermanisë kanë nisur të shqyrtojnë alternativat në treg për një zëvendësues të mundshëm. Pas përfundimit të Kupës së Botës, pritet të zhvillohet edhe një takim mes drejtuesve të klubit dhe Olize, ku do të diskutohet e ardhmja e sulmuesit.
Nëse dëshira e lojtarit për të kaluar te Reali i Madridit do të ndikojë në vendimin përfundimtar të Bajernit, mbetet për t’u parë. Por një gjë është e sigurt: emri i Majkëll Olize pritet të jetë ndër më të përfolurit gjatë javëve të ardhshme të merkatos së verës.
Lini një Përgjigje