TAGS-AT E JAVËS

Sport15 Korrik 2026, 17:45

Sporti shqiptar humbet kampionin e pingpongut, ndahet nga jeta Shpëtim Gazheli

Shkruar nga Pamfleti
Sporti shqiptar humbet kampionin e pingpongut, ndahet nga jeta Shpëtim
Kampioni i pingpongut, Shpëtim Gazheli

Pingpongu shqiptar ka humbur një nga figurat e tij më të rëndësishme dhe më të respektuara, Shpëtim Gazhelin, një emër që për dekada la gjurmë të pashlyeshme në këtë sport.

I vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Sportit”, Gazheli ndërtoi një karrierë të jashtëzakonshme, duke u shpallur 13 herë kampion kombëtar, si në garat individuale, ashtu edhe në ato ekipore. Përkushtimi, talenti dhe puna e tij e palodhur e vendosën atë mes sportistëve më të suksesshëm të pingpongut shqiptar.

Si lojtar dhe trajner i ekipit të Partizanit, ai arriti të fitojë gjithashtu 5 Kupa të Republikës dhe 2 Spartakiada Kombëtare, duke dëshmuar klasin dhe nivelin e tij të lartë sportiv.

Gjatë karrierës së tij të gjatë, Gazheli ishte pjesë e ekipit kombëtar të Shqipërisë, duke kontribuar jo vetëm si sportist, por edhe si trajner e edukator. Ai ndihmoi në formimin e shumë brezave të rinj, duke u transmetuar atyre jo vetëm teknikat e lojës, por edhe vlerat e disiplinës, respektit dhe përkushtimit.

Për nxënësit dhe sportistët që patën fatin të punonin me të, Shpëtim Gazheli ishte më shumë se një trajner. Ai ishte një profesor i vërtetë i sportit dhe i jetës, një figurë që frymëzonte me profesionalizmin, karakterin dhe humanizmin e tij.

Trashëgimia e tij do të mbetet e gjallë në historinë e pingpongut shqiptar dhe në kujtimet e të gjithë atyre që e njohën.

kampioni i pingpongut shpëtim gazheli

Lini një Përgjigje