Në Teatrin "Petro Marko" në Vlorë, familjarë, të afërm, miq, kolegë dhe qytetarë po i japin lamtumirën e fundit gazetarit 40-vjeçar.
Në Teatrin "Petro Marko" në Vlorë po zhvillohen homazhet në nder të gazetarit Enrik Mehmeti, i cili humbi jetën tragjikisht pas një aksidenti në zonën e Zvërnecit.
Që prej orës 12:00, dhjetëra familjarë, të afërm, miq, kolegë, përfaqësues të institucioneve dhe qytetarë kanë mbërritur për t'i bërë nderimet e fundit 40-vjeçarit. Në mesin e tyre ka qenë edhe kryeministri Edi Rama, i cili ka bërë homazhe dhe ka shprehur ngushëllimet për familjen.
Ndarja e parakohshme nga jeta e Enrik Mehmetit ka tronditur familjarët, miqtë dhe kolegët, ndërsa Vlora i jep sot lamtumirën një gazetari që për vite me radhë e lidhi jetën e tij me raportimin e ngjarjeve dhe historive të qytetit.
Pas përfundimit të homazheve, trupi i pajetë i Enrik Mehmetit do të përcillet për në banesën e fundit, ku do të prehet mes dhimbjes së familjes dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e vlerësuan.
Lini një Përgjigje