Franca nuk arriti të shmangte eliminimin nga Spanja në gjysmëfinalen e Kupës së Botës, edhe pse Didie Deshamp hodhi në fushë një repart ofensiv me një vlerë të përgjithshme prej rreth 710 milionë eurosh. Mediat spanjolle e kanë cilësuar këtë humbje si një dështim të madh për “Les Bleus”, duke vënë në pah organizimin superior taktik të skuadrës së Luis de la Fuente.
Sipas të dhënave të “Transfermarkt”, gjashtë sulmuesit e aktivizuar nga Franca gjatë takimit arrijnë një vlerë totale prej 710 milionë eurosh. Në krye të listës qëndrojnë Kilian Mbape dhe Majkëll Olize, të vlerësuar me nga 150 milionë euro secili. Pas tyre renditen Dezajër Due (120 milionë euro), Osman Dembele (100 milionë euro), Rajan Çerki (90 milionë euro) dhe Bredli Barkola (70 milionë euro).
Megjithatë, gjithë ky potencial nuk u reflektua në fushën e lojës. Sipas analizave të mediave spanjolle, Deshamp u mbështet më shumë te cilësitë individuale të futbollistëve sesa te funksionimi kolektiv i skuadrës, në kontrast me modelin e lojës që Luis Enrike ka ndërtuar te PSG-ja.
Në anën tjetër, Spanja zhvilloi një ndeshje pothuajse perfekte nga ana taktike. Mbrojtja iberike neutralizoi yjet francezë falë mbulimit të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit të shkëlqyer mes lojtarëve.
Pedro Porro e mbajti nën kontroll Bredli Barkola, ndërsa Mark Kukureja, me ndihmën e Aleks Baenës, arriti të bllokonte Osman Dembele dhe Majkëll Olize, të cilët lëviznin vazhdimisht në zona të ndryshme të fushës. Ndërkohë, Kilian Mbape u izolua nga Pau Kubarsi dhe Ajmerik Laport, me mbështetjen e vazhdueshme të Rodrit dhe Fabian Ruiz, duke mbetur thuajse i padukshëm gjatë gjithë sfidës.
Analiza vlerëson edhe kontributin e lojtarëve ofensivë të Spanjës në fazën mbrojtëse. Dani Olmo, Mikel Ojarzabal dhe Lamin Jamal punuan pa top për të ndihmuar repartin defensiv, duke krijuar një mekanizëm kolektiv që i la Francës shumë pak hapësira për të ndërtuar raste të rrezikshme.
Pas këtij eliminimi, janë shtuar edhe diskutimet për të ardhmen e Didier Deshamp në stolin e kombëtares franceze. Emri i Zinedin Zidan vazhdon të përmendet si favoriti kryesor për të marrë drejtimin e “gjelave”, në rast se federata vendos t'i japë fund epokës së teknikut aktual.
Lini një Përgjigje