Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan po përballet me vështirësi në shumë sondazhe që po mbahen përpara zgjedhjeve të 14 majit. Sfidanti i tij në opozitë, Kemal Kilicdaroglu, ka premtuar të riparojë marrëdhëniet aktualisht tensionuara me aleatët perëndimorë të Turqisë, një veprim ky që mund të jetë një lajm i keq për Rusinë por që mund të përbëjë edhe një dilemë për Bashkimin Evropian.
Me ekonominë turke të zhytur në krizë, kundërshtari Kemal Kilicdaroglu është përpara Erdoganit në shumë sondazhe. Krye-opozitari ka premtuar ndërmarrjen e reforma të mëdha ekonomike, që do të shoqërohen me një ripërtëritje të raporteve diplomatike me aleatët perëndimorë të vendit.
“Disa nga marrëdhëniet diplomatike të Turqisë, si ato me Shtetet e Bashkuara, NATO-n, BE-në, do të rikthehen siç kanë qenë më parë”- parashikon politologia turke Zeynep Alemdar nga Universitetit Okan në Stamboll. Sipas saj, orientimi perëndimor do të jetë pa asnjë dyshim një nga prioritetet e para të një administrate të re.
Lidhjet e thelluara të Erdoganit me homologun e tij rus, Vladimir Putin, që përfshijnë disa marrëveshjet të mëdha në fushën e energjetikës dhe të blerjes së armëve ruse, po i tensionojnë seriozisht marrëdhëniet e tij me disa nga aleatët perëndimorë të Turqisë.
Turqia, një anëtare e NATO-s, po e bllokon anëtarësimin e Suedisë në aleancë. Megjithatë, Zaur Gasimov, profesor i historisë dhe ekspert i Rusinë në Universitetin e Bonit në Gjermani, thotë se Moska e sheh si një aset me rëndësi politikën e jashtme të Erdogan.
“Ajo nuk perceptohet nga Moska si pro-ruse. Përkundrazi perceptohet si pro-turke dhe madje në një përmasë ekstreme. Por gjithashtu ajo nuk perceptohet si pro-perëndimore. Mendoj se ky është aspekti kryesor që i përshtatet edhe axhendës së Moskë”- thotë Gasimov.
Energjia, turizmi dhe mbështetja tek Siria
Turqia varet shumë nga energjia, turizmi dhe bashkëpunimi me Rusinë në Siri. Prandaj nuk do të jetë e lehtë zgjidhja e lidhjeve me Moskën. “Ridimensionimi i marrëdhënieve me Rusinë do të jetë i vështirë. Dhe kjo duke pasur parasysh ndërvarësinë e madhe ekonomike mes dy vendeve.
Gjithsesi unë shpresoj se do të ketë një marrëdhënie të ripërtërirë dhe më të mirë mes Turqisë dhe BE-në edhe për sa i përket tranzicionit të gjelbër. Kjo do të lejonte që marrëdhëniet me Rusinë të mund të ri-balancohen sërish”- thekson Alemdar.
Rekordi i dobët i respektimit të të drejtave të njeriut të Turqisë, ka bërë që kërkesa e saj
për anëtarësim në BE të jetë e bllokuar prej vitesh. Tani marrëdhëniet me Evropën janë më transaksionale. Për shembull, marrëveshja e Ankarasë me BE-në për të frenuar emigrantët sirianë në Turqi në këmbim të parave.
Turqia krijon terrenin për zbutjen e marrëdhënieve me Sirinë
Kiliçdaroglu zotohet që të miratojë kushtetutë të re, e cila do të bazohet tek të drejtat e njeriut dhe do të lejojë përparimin e procesit të integrimit të Turqisë në Bashkimin Evropian. Por Alemdar paralajmëron se një rivendosje e tillë paraqet një dilemë për BE-në. “Unë mendoj se marrëdhëniet me BE-në do të ishin padyshim shumë më të mira nga ana e Turqisë.
Por topi është në fushën e BE-së, sepse me marrëveshjen e emigracionit dhe efektet e saj të brendshme në Turqi, mendoj se do të ishte e nevojshme që Brukseli të gjejë mënyra të reja për të bashkëvepruar edhe me qeverinë turke.”, nënvizon ajo.
Disa evropianë do të lumturoheshin nga humbja e Erdogan
Duke qenë se disa anëtarë të BE-së janë haptazi kundër anëtarësimit të Turqisë në union, disa analistë sugjerojnë se disa figura evropiane mund të mirëpresin një ndryshim në udhëheqjen turke.
“Kjo Evropë nuk është ajo e një dekade ose dy dekadave më parë, kur Erdogan u ngjit për herë të parë në pushtet dhe kur nisën bisedimet për pranimin e Turqisë në klubin evropian. Sot Evropa nuk e dëshiron më zgjerimin”- vëren Asli Aydintasbas nga Instituti Brukings me qendër në Uashington.
“Pra Bashkimi Evropian nuk është më i gatshëm ta shohë Turqinë si një anëtare të klubit. Dhe si i tillë, Erdogan është një partner transaksional, një njeri me të cilin mund të bashkëpunohet në një situatë të caktuar, por një person për të cilin ata e dinë se nuk do të
jetë kurrë pjesë e klubi evropian që punon për interesat e veta afatgjata.
Turqia në mosmarrëveshje me BE-në lidhur me embargon e armëve në Libi
“Një fitore e opozitës do të zbuste tensionet në marrëdhëniet dypalëshe, por do t’i detyronte evropianët të mendojnë shumë për Turqinë dhe nëse e shohin apo jo atë si pjesë të klubit të tyre. As Uashingtoni dhe as Brukseli nuk janë të përgatitur për një botë post-Erdoganit”- përfundon Aydintasbas.
Analistët theksojnë se aleatët perëndimorë të Turqisë u befasuan kur partia AKP e Erdogan erdhi në pushtet në vitin 2002. Ndaj një fitore e Kilicdaroglu më 14 maj, mund t’i vendosë diplomatët në një pozitë të vështirë se si duhet të veprojnë./ Radio France Internationale
Lini një Përgjigje