
Procesi i numërimit të votave në Greqi është drejt përfundimit dhe partia Demokracia e Re e Kyriakos Mitsotakis, ka arriut të fitojë mandatin për të qeverisur e vetme, falë dhe ndryshimit të fundit të bërë në sistemin zgjedhor.
Pas numërimit të pothuajse 100 për qind të kutive partia Demokracia e Re, e Kyriakos Mitsotakis ka arritur të marrë 40.57 për qind të votave. Ndërsa SYRIZA e Alexis Tsipras zhgënjeu edhe në këtë raund, pasi morri vetëm 17.83 për qind të votave. Nga ana tjetër rritje pësoi koalicioni PASOK/KINAL i cili doli forcë e tretë me 11.86 për qind të votave.
Gjithashtu 5 parti të tjera kanë arritur që të fitojnë mandate në parlamentin 300 vendësh të Greqisë. Sipas rezultateve të publikuara, KKE ka marrë 7,42 për qind/ Spartanët: 4.74 për qind/ Zgjidhja greke: 4.57 për qind/ FITORJA: 3.79 për qind/ Lundrimi i lirë: 3.08 për qind
Rezultati i zgjedhjeve i përkthyer në mandatet tregon se Demokracia e Re ka siguruar 158 deputetë/ SYRIZA 47 deputetë/ PASOK 32 deputetë/ KKE 20 deputetë/ Spartanë 13 deputetë/ Zgjidhja Helene 12 deputetë / Partia Fitore 10 deputetë/ Lundrimi i Lirisë: 8 deputetë.

Ky ishte raundi i dytë i zgjedhjeve në Greqi, pasi në raundin e parë, më 21 maj edhe pse mori një fitore bindëse, por jo mjaftueshëm për të qeverisur vetëm, Mitsotakis nuk pranoi të bënte koalicion dhe e çoi vendin sërish në zgjedhje.
Por si mund të qeverisë e vetme partia e Kyriakos Mitsotakis, kur nuk ka arritur të marrë mbi 50 % të votave?
Sistemi zgjedhor në Greqi -i ndryshura së fundmi- parashikon se nëse partia më e madhe nuk merr shumicën për të formuar qeverinë në raundin e parë dhe nuk pranon krijimin e koalicioneve, shkohet në zgjedhjet të dyta, të cilat do kryhen jo më me sistemin proporcional të thjeshtë, por me sistemin proporcional të përforcuar.
Pra në raste të dështimit të raundit të parë, raundi i dytë funksionon me sistemin e bonuseve. Partia që merr mbi 25 % të votave, automatikisht ka bonus me 20 mandate më shumë.
Kështu që, partia e Mitsotakis me 40.5 % të votave, ka arritur të marrë 138 + 20 mandate bonus që i jep sistemi i ri zgjedhor. Me qartë Mitsotakis merr 158 mandate në Kuvendin me 300 vende të Greqisë, çka e lejon atë të qeverisë e vetme dhe pa koalicione.
Reagimet e para për rezultatin e zgjedhjeve:
Pak para se të shpallje rezultati final i zgjedhjeve kreu i partisë Demokracia e Re, Kyriakos Mitsotakis, mbajti një deklaratë para mbështetësve të tij.
Mitsotakis tha se populli grek i dha një mandat të fortë Demokracisë së Re, teksa shtoi se besimin e dhënë nga qytetarët ai do t’jua shpërblejë me punë.
“Unë do t'i qëndroj besnik detyrës time kombëtare të punës së palodhur, nuk do të toleroj sjellje arrogante apo arrogantë. Kur hodha hapat e para 20 vite më parë, nuk e kisha imagjinuar kurrë që sot do të isha përballë jush duke pasur nderin dhe përgjegjësinë të zgjidhem kryeministër i pavarur për herë të dytë. Mundohem të mësoj nga gabimet e mia dhe nuk do të kisha mundur ta bëja pa partnerët e mi. Faleminderit familjes sime që më ka mbajtur gjithmonë në tokë. Sot do ta shijojmë për pak fitoren tonë, por që nesër në mëngjes do të përveshim përsëri mëngët për të ndërtuar së bashku një Greqi të fortë me më shumë prosperitet dhe drejtësi”, tha ai.
Gjithashtu një reagim pati dhe nga kreu i SYRIZA, Alexis Tsipras, i cili pranoi për mediat se kanë pësuar një disfatë të rëndë zgjedhore.
Tsipras gjithashtu foli dhe për nevojën e rinovimit të partisë me fytyra të reja, duke thënë se është mbyllur një cikël i madh historik për partinë që ai drejton.
“Ishte beteja më e vështirë, por edhe më e bukur zgjedhore që kemi bërë ndonjëherë. Dua të falënderoj qindra mijëra qytetarë që na nderuan me votat e tyre. Rezultati i zgjedhjeve është padyshim negativ për ne. Anëtarët e partisë do të thirren të na gjykojnë të gjithëve dhe të hartojnë strategjinë që i përgjigjet rrethanave të vështira. Vetëkuptohet se në këtë proces kolektiv krijues të rindërtimit, do të jem i pari që do të vendos veten në gjykimin e anëtarëve të partisë”, tha ai./ Pamfleti
Lini një Përgjigje