Qytetarët iranianë reaguan të zhgënjyer pas dështimit të bisedimeve të paqes mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara për të arritur një marrëveshje.
"Associated Press" shkruan se, Farhad Simia, 43 vjeç, i cili ndodhet në Teheran shprehu shpresën e tij të mëparshme për një rezultat pozitiv që do të çonte drejt përfundimit të tensioneve. Megjithatë, ai theksoi se mbështet vendin e tij pavarësisht dështimit.
Sipas tij, negociatat mbeten rruga më e mirë, ndërsa përgjegjësinë për mungesën e marrëveshjes ia atribuoi kërkesave që i konsideroi të papërshtatshme nga ana e SHBA-së.
Një qëndrim i ngjashëm u shpreh edhe nga Mehdi Hosseini, gjithashtu 43 vjeç, i cili vlerësoi ekipin negociator iranian për ruajtjen e pozicioneve të arritura, i cili refuzoi të tërhiqet. Qytetari e cilësoi këtë si një arsye për optimizëm.
“Fakti që ekipi negociator iranian arriti të ruajë atë që arriti në luftë, ndërkohë që refuzoi të tërhiqej dhe të dorëzohej, jep arsye për shpresë”, u shpreh ai.
Atmosfera në kryeqytet reflektonte një mobilizim simbolik, me flamuj të shumtë kombëtarë dhe mesazhe publike që lavdëronin arritjet e vendit. Në disa hapësira publike, përfshirë murale dhe tabela të mëdha, paraqiteshin mesazhe që theksonin kontrollin iranian mbi Ngushticën e Hormuzit.
Hamid Haghi, 55 vjeç, deklaroi se dështimi i negociatave lidhet me përpjekjet e SHBA-së për të zgjeruar ndikimin në rajon, veçanërisht në Ngushticën e Hormuzit, të cilën e konsideroi si pjesë të trashëgimisë kombëtare që Irani duhet ta administrojë vetë.
Ndërkohë, Mohammad Bagher, 60 vjeç, theksoi se Irani mbetet i hapur për dialog, por vetëm nëse respektohen interesat e tij. Ai nënvizoi se vendi nuk kërkon konflikt, por është i gatshëm të qëndrojë i vendosur përballë presioneve të jashtme.
Lini një Përgjigje