TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota17 Shtator 2024, 10:41

Vota apo dhuna: Kush do të diktojë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit në SHBA

Shkruar nga Johanna Roth

 

Vota apo dhuna: Kush do të diktojë rezultatin e zgjedhjeve
Presidenti Trump pas atentatit /

Publiku amerikan, ka filluar të mësohet me diçka që nuk duhet të cilësohet kurrë normale: që e ardhmja e vendit të tyre po paraqitet si një garë, e cila  mund të zhvillohet vetëm përmes dhunës...

Një tentativë tjetër për vrasje në fushatën e zgjedhjeve presidenciale amerikane. FBI po i trajton si të tilla të shtënat në West Palm Beach në shtetin e Floridës. Objektivi ishte sërish Donald Trump. Autori i dyshuar, duket se ishte përgatitur ta vriste ose të paktën të plagoste rëndë ish-presidentin e SHBA-së.

Policia gjeti një pushkë me dylbi në shkurret pranë njërës nga fushat e golfit, ku thuhet se ishte fshehur i dyshuari. Po ashtu në gardhin ngjitur u gjet një kamerë Go-Po.  Fatmirësisht, këtë herë Trump mbeti i padëmtuar dhe askush tjetër nuk u lëndua. Siç e tregojnë deklaratat fillestare nga autoritetet, agjentët e sigurisë ishin në lartësinë e detyrës.

Një agjent i Shërbimit Sekret pikasi në kohë një person të dyshimtë në shkurre dhe hapi menjëherë zjarr. Kjo e detyroi atentatorin të vraponte drejt një automjeti dhe të arratisej prej andej. Një dëshmitar fotografoi targën e mjetit, dhe oficerët e policisë lokale u vunë në ndjekje. Personi që  arrestuan pak më vonë u identifikua si Ryan Wesley Routh, 58 vjeç. Nuk dihet ende se çfarë e motivoi atë, dhe nëse donte të qëllonte vërtet ndaj Trump. Por një gjë mund të thuhet me siguri:dhuna politike është bërë padyshim “kolona zanore” e kësaj fushate zgjedhore.

Këtë e dëshmon jo vetëm ngjarja e dy muajve më parë, kur të shtënat ndaj Trump në një takim elektoral në Pensilvani vranë një spektator dhe e plagosën lehtë Trumpin. Por lajme të tjera gjatë javës së kaluar, konfirmojnë gjithashtu nivelin tepër të lartë të dhunës politike në SHBA.

Dhuna në lajme

Së pari:Çertifikimi i rezultateve të zgjedhjeve presidenciale do të bëhet më 6 janar 2025 nën masa sigurie ekstreme. Kjo është për të parandaluar një përsëritje të ngjarjeve të 4 viteve më parë në Capitol Hill, ku një turmë mbështetësish të Trump u përpoqën të pengonin zyrtarizimin e fitores së Biden.  

Së dyti:Në qytetin e vogël Springfield në shtetin e Ohajos, shkollat ​​dhe institucionet e tjera publike u detyruan të mbyllen pas kërcënimeve për vendosjen e bombave. Më herët, Trump kishte përsëritur gënjeshtrat konspirative dhe raciste të kandidatit të tij për zëvendëspresident J.D. Vance para një auditori prej dhjetëra miliona njerëzish, duke pretenduar se refugjatët nga Haiti po hanin qentë dhe macet e banorëve vendas.

Asnjëri prej këtyre lajmeve, edhe pse tronditës në vetvete, nuk tërhoqi shumë vëmendje. Përpjekja e dyshuar për vrasjen e Trump në Florida, është deri më tani një histori tjetër. Por, parë në retrospektivë, është e habitshme se sa shpejt gjërat u kthyen në normalitet pas atentatit ndaj ish-presidentit në mesin e muajit korrik.

Sulmet ndaj Trump

Kjo nuk ndodhi vetëm sepse vëmendja u kthye tek pyetja se kush do të ishte kandidati demokrat. Kishte të bënte më shumë për Trump. Për një moment, u duk sikur sulmi brutal dhe i neveritshëm ndaj jetës së tij kishte ndryshuar diçka në natyrën e tij, retorikën e tij. Sipas disa njerëzve të afërt, ai donte të krijonte unitet.

Por në konventën e Partisë Republikane vetëm pak ditë pas sulmit, Trump u rikthye në skenë duke përsëritur të njëjtat stereotipe të mbushura me urrejtje që kishte përdorur më parë në shumë fjalime. Fraza janë të përshtatshme dhe ndoshta të zgjedhura qëllimisht për të krijuar një gjendje psikologjike në të cilin dhuna duket të jetë një mjet legjitim, dhe madje i domosdoshëm.

Fotot dhe videot e skenës së atentatit në Pensilvani - Trump i përgjakur në fytyrë, duke ngritur grushtin në ajër - u bënë brenda disa orësh imazhe të spoteve të tij publicitare.

Këto imazhe po shpërndahen sërish tani pas atentatit të dytë, duke e forcuar narrativën e Trump se ai është viktimë e një fushate shpifjesh nga e majta. Ai e paraqet veten si martir, dhe u shkruan mbështetësve të tij se “nuk do të dorëzohet asnjëherë”.

Normalizimi i dhunës politike

Publiku amerikan, ka filluar të mësohet me diçka që nuk duhet të cilësohet kurrë normale: që e ardhmja e vendit të tyre po paraqitet si një garë, e cila  mund të zhvillohet vetëm përmes dhunës. Dhe kjo nuk nisi me imazhet e një Donald Trumpi të përgjakur në fytyrë. Ngacmimet dhe kërcënimet e vazhdueshme ndaj zyrtarëve zgjedhorë, po bëhen gjithnjë e më të shpeshta.

Pati një sulm ndaj bashkëshortit të Nancy Pelosit, i cili u sulmua me çekiç në shtëpinë e tij nga një ekstremist i djathtë. Por ka edhe shumë incidente të tjera që kanë tërhequr pak vëmendje.

Sulme ndaj gjyqtarëve, deputetëve apo qytetarëve të thjeshtë. Kështu, një burrë në Ohajo qëlloi fqinjin e tij vetëm sepse mendonte se ishte demokrat.

Një republikan humbi zgjedhjet në Kongresin e shtetit të Nju Meksikos, dhe më pas kreu disa sulme me armë zjarri ndaj zyrtarëve të Partisë Demokratike me disa bashkëpunëtorë. Ai ishte i bindur se zgjedhjet ishin manipuluar nga kundërshtarët.

Polarizimi dhe radikalizimi i klimës politike në SHBA, shfaqet edhe përmes një vale sulmesh fizike ndaj kundërshtarëve politikë, kryesisht nga e djathta. Kësaj i shtohet qasja shumë e lehtë dhe e vetëkuptueshme ndaj armëve të zjarrit, gjë që natyrisht nuk do të ndryshojë as pas kësaj ngjarje.

Politikanë të pafuqishëm

Situata ngjan edhe më e pashpresë, kur politikanët shprehen se dhuna politike nuk ka vend në Amerikë. “Ne nuk jemi të tillë!”- shkroi në rrjetet sociale kandidati demokrat për zëvendëspresident, Tim Walz, pas incidentit në fushën e golfit të kandidatit republikan Trump.

Por gjithnjë e më shumë lind pyetja: A nuk është kjo më shumë një dëshirë e tija, sesa një përshkrim i situatës reale? Në raportin e tij parashikues për vitin 2024, Departamenti i Sigurisë Kombëtare paralajmëroi se zgjedhjet e këtij viti rrezikohen nga dhuna e mundshme.

Sipas një sondazhi më të fundit nga Instituti i Kërkimeve Publike, 27 për qind e republikanëve të anketuar, ranë dakord me deklaratën se “patriotët amerikanë mund të detyrohen të përdorin dhunën për të shpëtuar vendin”, krahasuar me vetëm 8 për qind të demokratëve.

Dhe një sondazh i Universitetit të Çikagos në qershor, zbuloi se 7 për qind e të anketuarve ishin në favor të përdorimit të dhunës për ta rikthyer Trumpin në pushtet. Gjithsesi deri në 10 për qind e të anketuarve, mendonin se dhuna ishte e justifikuar për të parandaluar pikërisht këtë skenar. Sigurisht, nuk është shumica ajo që favorizon dhunën. Megjithatë është një përqindje e madhe./Përshtati Pamfleti nga “World Crunch”

vota dhuna zgjedhjet amerikane

Lini një Përgjigje