
Atyre iu premtuan shpërblime të mëdha në para për “veprat heroike”. Ndërkohë oficerët në Rusi u përballën me një lloj tjetër presioni, të turpëronin publikisht apo kërcënonin dezertorët.
Gjatë 18 muajve të fundit, kam raportuar nga 8 vende në 4 kontinente. Për më shumë se një vit kam intervistuar 18 dezertorë të ushtrisë ruse për librin tim “Dezertori”. Përvojat e tyre, më dhanë një panoramë të gjallë të luftës së Rusisë por edhe korrupsionit, kaosit dhe brutalitetit të forcave të saj të armatosura ruse.
Po ashtu, dezertorët më rrëfyen se si ndiheshin duke luftuar, dhe pse morën më pas vendimin ekstrem për t’u arratisur. Investigimi im, fokusohet tek një dezertor i quajtur Ivan dhe gruaja e tij, Ana, pseudonime që i përdorëm për të garantuar sigurinë e tyre. Për Ivanin, ushtria ishte një rrugë e nderuar për të ecur përpara në jetë.
Ajo premtonte aventura, mbrojtjen e atdheut dhe vëllazëri me rusët e tjerë. Por realiteti ishte shumë ndryshe. Ja se çfarë mund të mësojmë mbi ushtrinë ruse dhe ushtarët e saj nga Ivani dhe Ana, por edhe nga bisedat e mia me ekspertë ushtarakë, dezertorë të tjerë dhe organizata të të drejtave të njeriut.
Në fillim, ushtarët nuk e kuptuan se po dërgoheshin në luftë. Më vonë nuk mund të refuzonin.
Gati 200.000 trupa ruse ishin të stacionuar në kufirin me Ukrainën për javë të tëra përpara pushtimit masiv të vitit 2022. Atyre u ishte thënë se bëhet fjalë vetëm një stërvitje, edhe pse u ishin dhënë me vete armë dhe pajisje mjekësore. Pas muajve të parë të pushtimit, në Rusi nisën të përhapen historitë e frikshme të rekrutëve nga fronti, ndaj numri i vullnetarëve nisi të binte.
Autoritetet ndryshuan qasje, duke premtuar se luftëtarët e të ashtuquajturit “operacion ushtarak special”, do të konsideroheshin veteranë sipas ligjit rus, dhe do të kishin përfitime afatgjata. Atyre iu premtuan shpërblime të mëdha në para për “veprat heroike”. Ndërkohë oficerët në Rusi u përballën me një lloj tjetër presioni, të turpëronin publikisht apo kërcënonin dezertorët.
Por gradualisht u kuptua se nga refuzimi i urdhrave vinin rreziqe të tjera. Të gjithë kishin dëgjuar histori për gropat, bodrumet ku mbaheshin ushtarët kundër dëshirës së tyre për shkak të refuzimit për të luftuar. Në qendër të bazës ku ndodhej Ivani, kishte një tabelë të madhe, të cilën ushtarët e quajtën Muri i Turpit, kur vendoseshin fotot e këtyre burrave. Të gjithë e dinin se ushtria ruse nuk i kishte problem ndëshkimet pa gjyq.
Para luftës, shumica e burrave u regjistruan në ushtri për arsye ekonomike.
Edhe para luftës, ushtria ruse ofronte stimuj financiarë për atë që rekrutoheshin. Kur Ivani foli me bashkëluftëtarët në vijën e frontit në Ukrainë, ata i thanë se nuk kishin shkuar atje kundër vullnetit të tyre. Disa ishin të regjistruar për të bërë karrierë në ushtri; të tjerët nënshkruan kontrata 3-mujore duke menduar se mund të fitonin ca para dhe më pas të ktheheshin në shtëpi.
Pas nënshkrimit të kontratës, u thuhej se që të nesërmen do të shkonin në front. Asnjë nga burrat në njësinë e Ivanit, nuk i ishte nënshtruar trajnimit që i ishte premtuar. Ata i thanë Ivanit se ishin në front, sepse autoritetet i kishin premtuar se fëmijët e tyre mund të pranoheshin në shkollat që zakonisht janë të rezervuara zakonisht për ata me mesatare të lartë, që japin ryshfet, apo që kanë shumë lidhje me pushtetarët.
Në ushtrinë ruse, fasada e mjegullonte realitetin.
Nën drejtimin e Ministrit të Mbrojtjes Sergei Shoigu, që e udhëhoqi ushtrinë deri në pranverë të këtij viti, shembulli më i dukshëm i këtij hendeku, ishin të dhënat që vinin nga “raporti fotografik” në raport me gjendjen reale në terren. Drejtuesi i një njësie duhej të bënte jo vetëm detyrën e tij, por edhe të dokumentonte gjithçka në kamera, nga trajnimet deri tek kontrollet e depove.
Gjykuar vetëm nga pamjet, Rusia dukej se zotëronte ushtrinë më të frikshme në tokë. Për komandantët, kjo qasje e dyfishonte ngarkesën e punës; sepse humbej jo pak kohë duke qëndruar para kamerave. Zakonisht zgjidhej një ushtar që tregohej duke pastruar kazermën, marrë pluhurat, pastruar banjat, rregulluar tubacionet. Por të gjithë e dinin se realiteti ishte ndryshe.
Sistemi është ndërtuar mbi korrupsionin dhe vjedhja është pjesë e punës.
Vjedhja ndodh në çdo nivel të ushtrisë ruse. Ivani shihte sesi një nga komandantët e tij vidhte karburantin e subvencionuar nga shteti për ushtrinë, të cilin ia shiste më pas qytetarëve me çmimin e tregut. Po ashtu, urdhëronte vartësit e tij të sharronin dru nga poligoni i bazës, në mënyrë që ai të mund t’i shiste për të fituar para.
Kur një oficer merrte pozicionin e tij, ishte përgjegjës për të gjitha pajisjet e njësisë së tij, shumica e të cilave ishin shitur nga komandanti i mëparshëm. Kjo e bënte të pamundur dorëheqjen, sepse do të dukej sikur ishte ai që i vodhi pajisjet, dhe do të detyrohej t’i kompensonte me paratë e tij.
Pajisjet në front ishin të vjetruara dhe prisheshin shpesh. Pjesët e tyre ishin të vjetra, dhe njësia e riparimit nuk donte të angazhohej. Gjithsesi, oficeri do të fajësohej për “mos monitorimin e pajisjeve” dhe ndëshkohej. Në këto kushte, ai shiste një pjesë të karburantit të ushtrisë për të riparuar makineritë.
Lufta në Ukrainë ka ringjallur kulturën e brutalitetit në ushtrinë ruse
Numri i viktimave në radhët e ushtrisë ruse është tani astronomik. Në maj, shërbimet sekrete britanike, llogaritën se afro 1.250 ushtarë rusë vriteshin ose plagoseshin çdo ditë, dhe se deri në gjysmë milioni rusë janë vrarë ose plagosur që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës.
Gjithsesi, Rusia vazhdoi të rekrutonte 25.000-30.000 ushtarë në muaj, gati i njëjti numër që largohen nga fusha e betejës si të vrarë dhe të plagosur. Zhargoni rus për të vrarët në aksion është “200”. Dhe shumica e tyre ishin drejtues togash, oficerë më të rinj që drejtonin trupat e papërgatitura si duhet.
Nëpër forumet në aplikacionet e ndryshme, qarkullonin shumë histori mbi karrieristët, që rrinin gjithë ditët në bodrumet e kazermave në pjesën e pasme të frontit, dhe dërgonin oficerët e rinj të vdisnin në betejë pa asnjë orientim paraprak. Mizoria ka qenë prej kohësh pjesë e përvojës ushtarake ruse.
Gjatë kohës së Ushtrisë Sovjetike, mungesa e një korpusi nënoficerësh profesionistë për të menaxhuar miliona rekrutë, çoi në një sistem brutal të njohur si dedovshchina, në të cilin rekrutët e vitit të dytë - deds, gjyshërit - talleshin dhe dhunonin ata të viteve të para.
Edhe pse koha e shërbimit është shkurtuar, dhe është zhdukur dallimi midis rekrutëve të rinj dhe të vjetër, kjo luftë ka ringjallur egërsinë e dedovshchina-s. Oficerët më të rinj që u abuzuan nga eprorët e tyre në luftërat e mëparshme të Rusisë në Afganistan dhe Çeçeni, janë sot gjeneralë, dhe ata po e ringjallin kulturën e dhunës.
Komandantët e dezertorëve nuk duan që t'i raportojnë ata.
Është e pamundur të dihet numri i saktë i dezertorëve. Mediazona, një media e pavarur hetimore ruse që funksionin në mërgim, thotë se ka pasur gati 7.400 raste të tilla në gjykatat ushtarake që nga fillimi i mobilizimit. Por ekspertët thonë se kjo shifër është vetëm një pjesë e vogël e numrit, që janë përpjekur të arratisen.
Ndërkohë autoritetet ruse, e kanë vështirësuar gjithnjë e më shumë shmangien e shërbimit ushtarak. Vitin e kaluar, autoritetet e rritën në 30 moshën maksimale të rekrutimit, lëvizje që do ta rrisë me të paktën 700.000 burra numrin e rekrutëve të mundshëm deri në vitin 2025. Në prill, Mediazona shkroi se rritja e numrit të dezertorëve këtë vit ishte e paprecedentë.
Por shumë shpesh, ushtarët dënohen me kushtin që të kthehen në bazë, të kërkojnë falje dhe të shkojnë menjëherë në vijën e parë të frontit. Numri aktual i dezertorëve, ka shumë të ngjarë të jetë shumë më i lartë, pasi shumë pak oficerë komandues duan të raportojnë zyrtarisht një vartës që ka dezertuar. Ata nuk duan telashe për vete. Ndaj secili përpiqet ta zgjidhë vetë situatën, duke mos e futur zyrtarisht në sistem emrin e një ushtari që e ka braktisur shërbimin.
Dezertimi është një akt i rrezikshëm, dhe dezertorët kanë frikë të flasin.
Shumë pak dezertorë të ushtrisë ruse kanë folur për mediat. Ata e dinë se brenda dhe jashtë vendit, rusët që flasin kundër presidentit Vladimir Putin mund të vriten. Persona në dukje të parëndësishëm përndiqen dhe kërcënohen, raportohen se vdesin duke u “hedhur” nga ballkonet e ndërtesave në Evropë apo Shtetet e Bashkuara.
Jo pak gazetarët dhe aktivistë janë helmuar. Shumë dezertorë nuk mund të arratisen në një vend të sigurt. Pa një pasaportë ndërkombëtare, ata mbeten të bllokuar në vendet e Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive, organizata rivale e NATO-s e drejtuar nga Rusia, ku ata janë ende lehtësisht të arritshëm nga Kremlini. Shumë nga burrat me të cilët bisedova, besojnë se shpëtimi i tyre është Evropa ose SHBA-ja. Por thonë se asnjë vend nuk i pranon./ Përshtati "Pamfleti", Nga "New York Times Magazine".
Lini një Përgjigje