
Forcat pushtuese ruse kanë kryer dhjetëra sulme në rajonet lindore të Ukrainës, teksa ushtria e Kievit ka raportuar se forcat ukrainase kanë zmbrapsur 60 sulme gjatë ditës së kaluar.
Në deklaratën e lëshuar në mëngjesin e 8 prillit, Shtabi i Përgjithshëm ukrainas tha se ushtria ruse ka vazhduar të shënjestrojë lindjen e Ukrainës, me fokus në qytetet e Limanit, Bakhmutit, Avdijivkës dhe Marinkës, që gjenden në rajonin e Donjeckut.
“Gjatë 24 orëve të kaluara, armiku ka lëshuar dy raketa dhe 35 sulme ajrore dhe ka kryer mbi 40 sulme me raketahedhës”, tha ushtria e Ukrainës.
Ndërkaq, Ministria britanike e Mbrojtjes tha se përpjekjet e Rusisë për të “dëmtuar seriozisht” infrastrukturën energjetike të Ukrainës “ka të ngjarë që kanë dështuar”.
“Rusia ka kryer sulme që nga tetori i vitit 2022, por sulmet në shkallë të gjerë kanë qenë të rralla që nga fillimi i marsit 2023”, tha ministria më 8 prill.
Ushtria ukrainase tha po ashtu se forcat pushtuese ruse në rajonet e Zaporizhjës dhe Khersonit po bëjnë përgatitje për atë që Kievi e quan evakuim të civilëve për në Krimenë e pushtuar nga Rusia. Ndërkohë që Kievi ka sinjalizuar se shumë shpejt do të nisë një kundërofensivë për të rimarrë më shumë territor të humbur.
Sulmet e reja vijnë në mes të raportimeve se forcat pushtuese ruse kanë bërë përparim në Bakhmut. Më 7 prill, zyrtarët ushtarakë britanikë thanë se forcat ruse ka të ngjarë që janë futur në qendrën e qytetit dhe kanë marrë kontrollin e bregut perëndimor të lumit Bakhmutka.
Fushata tetë mujore e Rusisë për të marrë Bakhmutin dhe rezistenca e Ukrainës, ka çuar në betejën më të gjatë dhe ndoshta më të përgjakshme që kur Putin urdhëroi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022.
Lini një Përgjigje