TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota27 Shkurt 2025, 14:54

“Ushtria e BE” një manovër diplomatike, Evropa mund të mbrohet vetëm në kuadër të NATO-s

Shkruar nga Paolo Rossetti

“Ushtria e BE” një manovër diplomatike, Evropa mund

A po përpiqet Mbretëria e Bashkuar të krijojë një rol për vete?

Evropa po vuan. Ajo ka pësuar një goditje të fortë nga Trump dhe Putin, që e përjashtuan nga negociatat e paqes në Ukrainë. Ajo po përpiqet të reagojë disi, edhe pse duket ende si një boksier që sapo është ngritur nga një nokaut i rëndë në ring.

Ideja e fundit është një samit në Londër për të diskutuar mbi planet e përbashkëta të mbrojtjes. Por kjo ide është humbje kohe, mendon Marco Bertolini, gjeneral i Brigadës Folgore në ushtrinë italiane, dhe komandant i operacioneve të shumta speciale në Liban, Somali, Kosovë dhe Afganistan.

Sipas tij, e vetmja mënyrë që evropianët të kenë sukses këtë rrugë është brenda NATO-s. Franca dhe Britania e Madhe, të vetmet fuqi bërthamore në Kontinentin e Vjetër, po përpiqen të shfrytëzojnë rastin për të qenë më të dukshme në skenën ndërkombëtare, por nuk ka gjasa t’ia dalin jashtë aleancës aktuale.

Kryeministri polak Donald Tusk, tha se udhëheqësit evropianë do të takohen me kryeministrin Starmer në Londër të dielën, për të finalizuar planet e përbashkëta të mbrojtjes. Çfarë duan saktësisht të bëjnë evropianët?

Kjo lëvizje është dëshmi se Evropa është një realitet shumë i larmishëm. Në fillim pamë vizitën e Orban tek Putini dhe Trump. Dhe tani polakët, që mbajnë presidencën e radhës të BE-së janë sponsorët e këtij takimi, që jo rastësisht do të zhvillohet në Britaninë e Madhe.

A po përpiqet Mbretëria e Bashkuar të krijojë një rol për vete?

Britania e Madhe është përpjekur ta kapërcejë krizën e shkaktuar nga kursi i ri i imponuar nga Donald Trump. Këtë gjë po e bën së bashku me Francën, sepse të dyja janë fuqi bërthamore, dhe kanë një vizion perandorak mbi veten e tyre. Tani do të zhvillohet ky samit për të përcaktuar planet e përbashkëta të mbrojtjes, edhe pse Rusia nuk ka forca për ta sulmuar Evropën.

Pra a ka kuptim apo jo ideja e zhvillimit të planeve të përbashkëta të mbrojtjes?

Planet e mbrojtjes kanë qenë gjithmonë aty që nga Lufta e Ftohtë, për Italinë, Gjermaninë, Norvegjinë, për të gjithë. Ka pasur një plan të madh, gjithëpërfshirës dhe strategjik të mbrojtjes që përfshinte të gjithë NATO-n, e cila u përball me Paktin e Varshavës.

Është e mundur të zhvillohet edhe një plan i ri. Por cili do të ishte qëllimi? S’ka asnjë kërcënim konkret nga Moska. Në teori, rusët mund të godasin nga distanca Evropën, por jo ta pushtojnë atë. Megjithatë nga ana jonë ka vetëm fjalë. Ne jemi të pranishëm në Rumani, Bullgari, vendet baltike, por kjo nuk është një prani  domethënëse.

Dikur të dyja palët kishin ushtri të rreshtuara gati për luftë. Duket se qëllimi është të ritheksojmë nevojën për t’u mbrojtur nga rusët, të cilët po na kërcënojnë. Por për mua është një nismë që lë shumë për të dëshiruar.

Atëherë deri ku mund të shkojë kjo nismë?

Evropa dëshiron ta bëjë të qartë se duhet të zhvillojë një mbrojtje të sajën. Nëse SHBA-ja tërhiqet, do të përpiqet ta arrijë e vetme. Por kjo s’mund të ndodhë. Sepse përveç deklaratave ku shpallen qëllimet, duhet të zhvillohen plane dhe duhet të strukturohen mjetet. Por nuk ka një aleancë të besueshme ushtarake evropiane. Ka vetëm NATO.

Macron do t’i propozojë vendeve të tjera evropiane të bëhen pjesë e një force paqeruajtëse evropiane në Ukrainë, plan që ia prezantoi edhe Trumpit në Shtëpinë e Bardhë. Pse Putin duket i prirur ta pranojë këtë herë?

Nëse është vërtet kështu, shumëkush pyet veten se çfarë iu dha Putinit në këmbim. Sepse pranimi i vendosjes së forcave evropiane në vijën aktuale të frontit për garantimin e paqes, do të tradhtonte linjën e mbështetur deri më sot nga Putin dhe Lavrov.

A mund të rifitojnë evropianët një rol në negociatat e paqes?

Deri me sot Evropa është përjashtuar nga të gjitha diskutimet midis rusëve dhe amerikanëve, përfshirë këtu mbi rendin e ri global. Takimi në Riad, nuk kishte të bënte vetëm me Ukrainën, por me bashkëpunimin e dy superfuqive në të ardhmen.

Evropa është shkëputur nga e gjithë kjo, dhe ashtu si Ukraina, konsiderohet si objekt pazaresh mes palëve. Duke u përpjekur të krijojnë një lloj koalicioni politiko-ushtarak anti-Trump, sepse tani edhe ai është bërë armik, ata shpresojnë të arrijnë të përfshihen në procesin e paqes.

Por çfarë mund të sjellë Evropa në tryezë? Vetëm një ngadalësim të procesit, gjë që po ndodh. Dhe për t’u dëgjuar nga SHBA dhe Rusia, ajo detyrohet të përdorë tone luftarake. Diçka qesharake, nëse situata nuk do të ishte dramatike.

Sipas jush, ku synojnë të mbërrijnë Trump dhe Putin me paktin mbi Ukrainën?

Ne jemi duke lënë pas vizionin unipolar, në të cilin ekzistonte një pol i vetëm, Shtetet e Bashkuara, të cilat vendosnin se me cilët bashkëbisedues do të merreshin. Kërkesa ishte që ata të kopjonin modelin amerikan. Pra nuk duhej të ishin diktatorë apo autokratë, por të ishin vende demokratike.

Nga ky model po zhvendosemi drejt një bote shumëpolare. Tani edhe brenda Perëndimit ka një ndryshim të madh midis demokracisë amerikane dhe asaj italiane apo franceze. Në modelin multipolar, polet kanë vendosur të njohin interesat e ndërsjella.

Si i ndryshon kjo marrëdhëniet midis kombeve?

Putini nuk do të jetë i kënaqur me paqen në Ukrainë nëse shpërthen lufta në Kaukaz ose Baltik. Ai po bën thirrje për siguri më të gjerë. Dhe kjo kërkon një arkitekturë të re, ku Evropa mund të japë një kontribut thelbësor. Megjithatë, kjo nuk mund të arrihet duke u armatosur brenda natës.
Ne nuk jemi shqetësuar prej dekadash për fuqinë tonë ushtarake, dhe situata nuk do të ndryshojë ndjeshëm me rritjen e fondeve për 2 ose 3 vitet e ardhshme. Tanket duhet të projektohen, ndërtohen, dhe vihen në punë. Dhe kjo është edhe më e vërtetë për avionët dhe anijet. Dhe pastaj duhen shumë trupa…/Përshtati "Pamfleti", nga "Il Sussidiario"

Lini një Përgjigje