TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota27 Shkurt 2025, 13:17

SHBA dërgon grup prokurorësh në Ballkan, fokus goditja e korrupsionit

Shkruar nga Pamfleti
SHBA dërgon grup prokurorësh në Ballkan, fokus goditja e
Presidenti i SHBA, Donald Trump

Administrata e Presidentit Donald Trump ka kaluar nga denoncimet publike për keqpërdorimin e fondeve të USAID-it edhe në shtetet ballkanike tek dërgimi i një grupi prokurorësh që do të hetojnë projektet që janë zbatuar deri tani me fondet e taksapaguesve amerikanë.

Në krye të këtij grupi prokurorësh është ish-prokurori federal Martin De Luca. Ai ka nisur nga Sarajeva hetimin ku rezulton se vetem në katër vitet e fundit janë shpenzuar me projektet e USAID-it me OJQ-të e ngritura nga fondacioni Soros rreth 402 milionë Dollarë, prej të cilave 250 milionë nuk mund të përcaktohet se ku janë zhdukur.

“Në katër vitet e fundit, këtu janë disbursuar 402 milionë Dollarë përmes programeve të ndryshme. Prej tyre, 150 milionë Dollarë mund të justifikohen, dhe rreth 250 milionë Dollarë mbeten të pajustifikuara, gjë që na ngre dyshime për korrupsion. Këto janë para nga qytetarët amerikanë. Ekipi im tashmë po heton operacionet e USAID-it edhe në shtetet e tjera të rajonit e më gjerë. Presidenti Trump është shumë i vendosur që ne të zbulojmë sa më shpejt gjithçka që ka ndodhur me keqperdorimin e këtyre fondeve. Jemi të vetëdijshëm se pjesa më e vështirë e misionit tonë është marrja e provave ndaj kërkojmë bashkëpunimin e autoriteteve në këto shtete”, tha Martin de Luca për mediat kroate.

Ai shtoi se nga gjithçka mund të konstatohet se aktivitetet kriminale kanë qenë pjesë e biznesit të kësaj organizate, e cila financohet nga fondet e qytetarëve amerikanë.

Më herët në karrierën e tij, De Luca shërbeu si prokuror në Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së si Ndihmës Special i Prokurorit të SHBA-së në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm për Distriktin Jugor të Nju Jorkut dhe si Ndihmës Prokurorit të Qarkut në Zyrën e Prokurorit të Rrethit të Nju Jorkut.

Ai ndoqi penalisht rastet që përfshijnë korrupsionin, rastet komplekse të mashtrimit, pastrimin e parave, evazionin fiskal, krimin e organizuar, financimin e terrorizmit dhe trafikun ndërkombëtar të drogës . Këto raste shpesh kërkonin bashkëpunim me FBI-në, Departamentin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, agjencitë e inteligjencës amerikane dhe partnerët e huaj të zbatimit të ligjit, duke i siguruar atij një kuptim se si të menaxhojë krizat që përfshijnë juridiksione dhe përfshijnë aktorë të shumtë.

Rastësisht, De Luca ishte avokati i Marco Fogel, i cili u lirua më 11 shkurt të këtij viti. Fogel u arrestua në vitin 2022 dhe u dënua me 14 vjet burg në Rusi për trafik të dyshuar droge. Ky është një mësues amerikan i cili u arrestua në aeroportin Sheremetyevo të Moskës në gusht 2021 me 17 gram kanabis, të cilin ai pretendonte se e kishte përdorur për qëllime mjekësore.

Ndërkohë ju kujtojmë se ambasada amerikane njoftoi disa javë më parë zyrtarisht ndërprerjen e fondeve qe jepte USAID për vendin tonë.

Lini një Përgjigje