
Kandidati për president në Ekuador, Fernando Villavicencio, i ekzekutuar ditën e djeshme nga grupet kriminale në vend, kishte denoncuar disa herë mafian shqiptare të trafikut të kokainës vitet e fundit operon në Amerikën Latine.
Në 18 mars të këtij viti, Villavicencio kishte shpërndarë në profilin e tij në twitter një shkrim investigativ të Daily Mail me titull "Bandat shqiptare po sjellin drogë nga Ekuadori në Britaninë e Madhe".

Po në mars të atij viti, Villavicencio kishte akuzuar qeverinë e vendit të tij dhe veçanërisht presidentin Guillermo Lasso si të lidhur me mafian shqiptare.
"Në raportin e ElGranPadrino ata mblodhën audio dhe raporte të rrjedhura që akuzonin Lasso se ishte i lidhur me mafian shqiptare. Por, në fajësim ata zhdukën shqiptarët, në të vërtetë, ata pothuajse e eliminojnë Shqipërinë nga harta botërore", shkruante ai në mars të këtij viti.

Ai thoshte se nga një hetim për krerët e mafias, me ndikimin e qeverisë ishin hequr të gjitha lidhjet, faktet që përfshinin mafian shqiptare.
Sipas një investigimi në atë kohë, tre shqiptarë me kodet "HD Dibra", "HD Barrioso" dhe "HD Maximo" u raportuan se kishin lidhje të forta me qeverinë ekuadoriane dhe kartelet e kokainës.

Një prej emrave më të njohur të botës së krimit, Dritan Rexhepi, u lirua pikërisht nga burgu i Ekuadorit, dyshohet pas ndërhyrjeve të forta në qeveri, që i ndryshuan atij masën e vuajtjes së dënimit.
Kujtojmë se Ekuadori gjatë viteve të fundit ka përfunduar në një spirale të dhunshme krimi nga kartelet e drogës, duke u kthyer në një nga destinacionet më të rëndësishme të furnizimit me drogë të Europës.
Lini një Përgjigje