Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka zbuluar një mesazh privat nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ndërsa më parë publikoi edhe një komunikim nga lideri francez Emmanuel Macron.
Në mesazhin e tij drejtuar Trump, Rutte vlerëson veprimtarinë e fundit në Siri, ndërsa theksoi se do të përdorë daljet e tij në Davos për të theksuar punën e SHBA-ve në Gaza dhe Ukrainë.
Ai shtoi se është i përkushtuar për të gjetur më “mënyrë për të ecur përpara” me Groenlandën.
"President, i dashur Donald – ajo që arritët sot në Siri është e pabesueshme. Do t’i përdor angazhimet e mia mediatike në Davos për të nxjerrë në pah punën tuaj atje, në Gaza dhe në Ukrainë.
Jam i përkushtuar për të gjetur një rrugë përpara në çështjen e Groenlandës. Mezi pres t’ju shoh.
I juaji, Mark", i shkruan Rutte- Trump.
Me gjithë rezistencën e aleatëve europianë në NATO, Donald Trump nuk lëkundet nga qëllimi për të aneksuar Groenlandën. Në prag të pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik të Davosit, në Zvicër, të mërkurën, kreu i Shtëpisë së Bardhë përsëriti se Shtetet e Bashkuara duhet ta kenë ishullin në Arktik, pasi të tjerët nuk mund ta mbrojnë.
Ai u shpreh i bindur se europianët nuk do të bënin rezistencë për shumë gjatë, ndërsa rikonfirmoi vullnetin për të vendosur tarifa prej 10 për qind ndaj tetë shteteve që kundërshtojnë marrjen e Groenlandës.
“Epo, nuk mendoj se do të kundërshtojnë edhe shumë. Dëgjo, duhet ta kemi Groenlandën. Ata nuk mund ta mbrojnë dot. Danimarka është një popull i mrekullueshëm. Dhe i njoh udhëheqësit, janë njerëz shumë të mirë, por as nuk shkojnë atje. Dhe, e dini, për shkak se një anije shkoi atje 500 vjet më parë dhe pastaj u largua, kjo nuk të jep të drejtën e pronësisë. Kemi pasur sukses të jashtëzakonshëm dhe unë kam bërë më shumë për NATO-n sesa kushdo tjetër. Nuk mendoj se do ta kishim NATO-n tani. Do ta shohim se si do të shkojë. Por Groenlanda është shumë e rëndësishme”, tha Trump.
Lini një Përgjigje