Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kritikuar se vendimi i Britanisë për t’ia kaluar Ishujt Chagos Mauritiusit është ndër arsyet pse ai dëshiron të marrë kontrollin e Groenlandës.
Në një postim në Truth Social, ai tha se plani i Mbretërisë së Bashkuar për t’ia dorëzuar sovranitetin e Ishujve Chagos Mauritiusit është “një akt i madh budallallëku”.
“Çuditërisht, aleati ynë “i shkëlqyer” i NATO-s, Mbretëria e Bashkuar, aktualisht po planifikon t’ia japë Ishullin Diego Garcia, vendndodhjen e një baze ushtarake jetike të SHBA-së, Mauritiusit, dhe ta bëjë këtë pa asnjë arsye çfardo. Nuk ka asnjë dyshim se Kina dhe Rusia e kanë vënë re këtë akt dobësie të plotë. Këto janë fuqi ndërkombëtare që njohin vetëm FUQINË, prandaj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën udhëheqjen time, tani, pas vetëm një viti, respektohen si kurrë më parë. Dorëzimi nga ana e Mbretërisë së Bashkuar i një toke jashtëzakonisht të rëndësishme është një akt i madh budallallëku dhe është një tjetër arsye e Sigurisë Kombëtare pse Groenlanda duhet të merret. Danimarka dhe aleatët e saj evropianë duhet të bëjnë gjënë e duhur. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje”, ka shkruar Trump.

Darren Jones, sekretari kryesor i kryeministrit britanik Keir Starmer, tha se marrëveshja me Mauritiusin është përfundimisht miratuar dhe legjislacioni për procesin është nënshkruar. Ai theksoi se kjo siguron funksionimin e bazës ushtarake amerikane në Diego Garcia për 100 vitet e ardhshme.
Jones shtoi se SHBA-të e kishin miratuar më parë marrëveshjen dhe se ligji ndërkombëtar e kërkonte një marrëveshje të tillë për të mbrojtur aftësitë ushtarake të bazës. Ai gjithashtu vlerësoi qasjen diplomatike të qeverisë britanike si më efektive përballë kritikeve dhe ndryshimeve në administratën amerikane.
Ndërkohë, udhëheqësi i Reformës, Nigel Farage, i afërt me Trump, ka dalë në mbështetje të presidentit amerikan, duke shkruar se Trump ka vendosur një veto ndaj dorëzimit të ishujve Chagos.
Lini një Përgjigje