TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota20 Janar 2026, 12:25

Rendi botëror në prag të kaosit: 3 skenarët që ofron përballja Trump-Xi

Shkruar nga Alessandro Cappelli
Rendi botëror në prag të kaosit: 3 skenarët që ofron
Donald Trump dhe Xi Jinping

2026-a mund të jetë fillimi i një faze të re pasigurie dhe paqëndrueshmërie, ku fuqitë e mëdha globale hyjnë në konkurrencë mes tyre mbi dosje të ndryshme. Ose kur ndoshta Uashingtoni dhe Pekini, do të rikrijojnë një bllokim të qetë relativ, të ngjashëm me atë të Luftës së Ftohtë…

Rendi botëror po qëndron në një gjendje pezullie. Deri pak muaj më parë, vetëm Kina dhe Rusia mund të pretendonin se kishin fuqinë për të ndryshuar ekuilibrin e dalë nga Lufta e Ftohtë, si dy fuqitë e vetme revizioniste që kanë mjaftueshëm fuqi politike dhe ushtarake për të kërcënuar strukturën e pushtetit global.

Por gjatë vitit 2025, Donald Trump e futi edhe Amerikën brenda atij grupi. Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Rusia, janë tre fuqi të mëdha në konkurrencë, me ambicie dhe objektiva të kundërta. Për këtë arsye, 2026-a paraqitet si agimi i një faze të re pasigurie dhe paqëndrueshmërie. Në këtë pikë, 3 janë skenarët më të mundshëm.

Skenari i parë

Krijimi i sferave të ndikimit, të afta të bashkëjetojnë sipas modelit të pas Luftës së Dytë Botërore gjatë Luftës së Ftohtë. Në këtë kontekst, do të fillonte të shfaqej ajo që Trump e quajti tetorin e kaluar një G-2 e re, pra konkurrenca përfundimtare mes dy superfuqive: Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Trump e përmendi këtë pas samitit të Busanit, në Korenë e Jugut, ku u takua me Xi Jinping, i rrethuar nga ndërmjetës, këshilltarë dhe gazetarë ndërkombëtarë. Ai e vlerësoi takimin dypalësh si “12 me 10”, me një bujari të tepruar.

Samiti korean ishte më shumë sesa një takim diplomatik: ai u bë simbol i një bote që po ndryshon, ku po vihen sërish në diskutim rregullat tradicionale të tregtisë dhe diplomacisë.

Hipoteza e një G-2 për të ardhmen e afërt të politikës ndërkombëtare riformëson qeverisjen globale, duke i lënë fuqitë e mesme dhe të vogla në role dytësore, ndërsa SHBA dhe Kina vendosen si arbitra të një ekuilibri ende në formim.

Në këtë rast, Bashkimi Evropian do të mbetej në periferi të lojës së madhe globale. Për Brukselin kjo do të ishte një rënie e mëtejshme, duke e përkeqësuar atë që u pa në 2025: një kontinent më i brishtë se sa e kishte imagjinuar. Një foto në korrik, në klubin e golfit Turnberry në Skoci, e tregonte presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen me një buzëqeshje të lehtë dhe gishtin e madh lart pranë një Trump-i të entuziazmuar.

BE sapo kishte pranuar pa shumë kundërshtime tarifat e presidentit amerikan. Megjithëse mendohej se tregtia ishte fusha e vetme ku Europa mund t’i përballonte superfuqitë, realiteti tregoi të kundërtën.

Tregu i përbashkët evropian, ka përmasa të krahasueshme me ekonomitë e Kinës apo SHBA-së, por në fund Brukseli uli kokën nga frika e një lufte tregtare që do të dobësonte ekonominë e 27 vendeve. Pra janë Uashingtoni dhe Pekini, ato që diktojnë rregullat dhe Evropës i mbetet vetëm t’i pranojë.

Skenari i dytë

Do kemi një botë multipolare pa shtete udhëheqëse, dhe më shumë gjasa shpërthime të konflikteve të reja gjithnjë e më të ashpra dhe të drejtpërdrejta, ndoshta në ato zona të planetit ku luhet loja vendimtare e konkurrencës globale: Arktiku, Indo-Paqësori, Evropa Lindore dhe Mesdheu.

Pas dekadash ku ishim mësuar me dominimin e SHBA-së dhe Europës, sot qendra e botës po zhvendoset drejt Azisë. Veçanërisht rajoni Indo-Paqësor po grumbullon krizat por edhe mundësitë më të mëdha të kësaj faze historike.

Viti 2025 dha paralajmërime të qarta: aktiviteti i ri ushtarak i Japonisë, ku po diskutohet seriozisht ndryshimi i kushtetutës më paqësore dhe antimilitariste në botë, është një sinjal alarmi.

Arsyeja është kërcënimi kinez, pushtimet në Detin e Kinës Jugore dhe ambicia e Xi Jinping për të marrë përfundimisht kontrollin mbi Tajvanin, që është qendra globale e prodhimit të gjysmëpërçuesve.

Por nuk është e thënë që këto tensione të përfundojnë në përplasje të armatosura. Kina e ka kuptuar prej kohësh, se fuqia ekonomike mund të shërbejë si instrument gjeopolitik po aq i fuqishëm sa forca ushtarake.

Ajo po e përdor epërsinë në prodhimin e mineraleve të rralla dhe teknologjive strategjike për të negociuar me Uashingtonin, duke mbrojtur interesat e saj tregtare e industriale. Ky është koncepti i “gjeoekonomisë strategjike”.

Kina konsolidon ndikimin e saj, nxit përdorimin e renminbi-t në transaksione ndërkombëtare dhe krijon rrjete tregtare alternative, pa pasur nevojë për ekspansion ushtarak. Përdorimi selektiv i tarifave, investimeve dhe marrëveshjeve tregtare, bëhet një formë pushteti e hollë por efektive, që formëson rendin botëror pa qenë nevoja të tregohen muskujt.

Skenari i tretë

Mund të kemi konflikte të përhershme dhe të shpërndara në zona të ndryshme midis fuqive të mesme dhe të mëdha - nga Brazili te India, nga Irani te Bashkimi Evropian. Do të shiheshin si sot, një varg i gjatë luftërash - edhe tregtare - që krijojnë situata paqëndrueshmërie.

Ky është skenari më i ngjashëm me të tashmen, por edhe arsyeja pse në vitin 2025 u ndjemë të mbështjellë nga një pasiguri strukturore dhe e pathyeshme. Shtimi i fushave të betejës u shoqërua  me tribalizmin e liderëve që përplasen.

Rendi i ri global nuk është konsoliduar ende. Ky vit, ka gjasa të jetë një tjetër pikë nisjeje. Një botë multipolare sjell mundësi të reja për fuqitë e mesme, por edhe rreziqe të larta, për shkak të mungesës së rregullave të përbashkëta dhe të një aktori garantues.

Një botë bipolare e ndarë mes superfuqive të Uashingtonit dhe Pekinit, mund të sillte më shumë stabilitet, të paktën në një periudhë afatshkurtër, me G-2 si qendër e qeverisjes globale.

Ndërsa në një rend multipolar pragmatik, SHBA-ja dhe Kina nuk do të mund të mbanin në duar të gjitha fijet, duke pasur më shumë hapësirë për manovrim nga shtetet në zhvillim dhe fuqitë e mesme në çdo kontinent e sektor.

Ndërsa në rastin e kaosit global, mungesa e rregullave të përbashkëta do të sillte një shpërthim të konkurrencës ekonomike dhe teknologjike, mosmarrëveshje territoriale dhe konflikte lokale që do të gjeneronin paqëndrueshmëri në të gjitha nivelet.

E ardhmja e marrëdhënieve ndërkombëtare mbetet një lojë e hapur. Ekuilibrat janë ende të brishtë, aleancat strategjike dhe konkurrenca ekonomike po e rimodelojnë botën para syve tanë./ Përshtati "Pamfleti Nga “Linkiesta”

donald trump xi jinping

Lini një Përgjigje