TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 8 Janar 2026, 22:28

Trump kërkon ta “blejë” Groenlandën me para, plan për pagesa deri në 100 mijë dollarë për çdo banor

Shkruar nga Pamfleti
Trump kërkon ta “blejë” Groenlandën me para, plan
Groenlanda

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump po shqyrton seriozisht një plan për t’u ofruar pagesa të drejtpërdrejta banorëve të Groenlandës, me synimin për t’i bindur ata të shkëputen nga Danimarka dhe të bashkohen me Shtetet e Bashkuara. Lajmi raportohet nga Reuters, duke cituar zyrtarë amerikanë, në një artikull ekskluziv që hedh dritë mbi prapaskenat e strategjisë së Uashingtonit për ishullin strategjik të Arktikut.

Sipas burimeve, administrata Trump po diskuton pagesa të njëpasnjëshme që mund të variojnë nga 10,000 deri në 100,000 dollarë për person. Ideja po shqyrtohet si një alternativë “paqësore” për të realizuar atë që Trump e ka deklaruar hapur prej vitesh, blerjen e Groenlandës. Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë kanë pranuar se kjo qasje po diskutohet paralelisht me opsione të tjera, përfshirë presionin diplomatik dhe skenarë më të fortë strategjikë.

Propozimi synon të ofrojë një shpjegim praktik se si SHBA mund të “blejë” de facto Groenlandën, një territor me rreth 57,000 banorë, pavarësisht kundërshtimeve të qarta nga Danimarka dhe autoritetet lokale në Nuuk, të cilat kanë deklaruar publikisht se Groenlanda nuk është në shitje. Megjithatë, ideja e pagesave direkte shihet nga shumë analistë si fyese për një shoqëri që prej vitesh debaton për pavarësinë dhe për varësinë ekonomike nga Kopenhaga.

Reuters raporton se një tjetër skenar i diskutuar është arritja e një marrëveshjeje të tipit “Compact of Free Association” (COFA), një model që SHBA e ka përdorur vetëm me disa shtete të vogla ishullore në Paqësor. Një marrëveshje e tillë do t’i jepte Uashingtonit kontroll strategjik dhe ushtarak, pa e aneksuar zyrtarisht territorin.

Pavarësisht reagimeve kritike nga udhëheqësit evropianë dhe refuzimit të autoriteteve daneze, administrata Trump duket e vendosur ta mbajë çështjen e Groenlandës në tryezë. Për Uashingtonin, interesi strategjik, pozicioni gjeopolitik dhe burimet e mundshme natyrore të ishullit mbeten arsye kyçe për të eksploruar çdo opsion, përfshirë edhe atë të pagesave direkte ndaj qytetarëve.

 

groenlanda trump

Lini një Përgjigje