Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë raportimet e mediave shtetërore iraniane për një draft memorandum mirëkuptimi mes Uashingtonit dhe Teheranit, duke i cilësuar ato si “një fabrikim i plotë”.
“Nuk është e vërtetë dhe memorandumi që ata publikuan është një trillim total. Askush nuk duhet t’i besojë asaj që shpërndajnë mediat shtetërore iraniane. Faktet kanë rëndësi”, shkroi në platformën X Shtëpia e Bardhë.
Mediat iraniane kishin raportuar më herët se drafti parashikonte tërheqjen e forcave ushtarake amerikane nga zonat pranë Iranit dhe heqjen e bllokadës ndaj porteve iraniane.
Megjithatë, disa prej elementeve të përmendura nga media iraniane ngjajnë me deklaratat e mëparshme të zyrtarëve amerikanë për negociatat në zhvillim. Sipas tyre, presidenti Donald Trump do të ishte i gatshëm të hiqte bllokadën nëse Irani garanton kalimin e lirë të anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit.
“Siç ka deklaruar presidenti Trump, negociatat po ecin mirë dhe ai i ka bërë të qarta vijat e kuqe. Presidenti Trump do të pranojë vetëm një marrëveshje të mirë për popullin amerikan, e cila duhet të garantojë që Irani të mos ketë kurrë armë bërthamore”, deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Olivia Wales, në reagimin ndaj raportimeve të televizionit shtetëror iranian.
Lini një Përgjigje