Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel dha një parashikim të zymtë për luftën në Ukrainë. Ajo deklaroi se shpreson që lufta në Ukrainë të marrë fund brenda dekadës së ardhshme, duke theksuar se objektivi duhet të jetë ruajtja e sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës.
“Në 10 vjet, shpresoj që lufta në Ukrainë të ketë përfunduar dhe Ukraina të jetë një shtet i pavarur, i lirë dhe sovran”, u shpreh Merkel gjatë podcastit “WDR 0630” në Berlin.
Deklarata e saj vjen në një moment kur në Gjermani po diskutohet gjithnjë e më shumë mundësia e rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak për Bundeswehr-in, për shkak të kërcënimit që perceptohet nga Rusia.
Merkel argumentoi se një vendim i tillë nuk do të ishte më i nevojshëm pas përfundimit të luftës në Ukrainë.
Komentet e ish-kancelares vijnë ndërsa në Evropë vijojnë debatet për mënyrën e arritjes së një zgjidhjeje diplomatike të konfliktit. Sipas raportimeve të mëparshme, në qarqet evropiane janë diskutuar disa emra që mund të luajnë rol ndërmjetësues në negociatat e mundshme me Rusinë, mes tyre edhe Angela Merkel, presidenti finlandez Alexander Stubb dhe ish-kryeministri italian Mario Draghi.
Megjithatë, Merkel ka refuzuar mundësinë për të ndërmjetësuar bisedime mes Rusisë dhe Bashkimit Evropian. Ajo ka deklaruar se përgjegjësia për negociatat duhet t’u mbetet liderëve aktualë të shteteve dhe qeverive.
Ekspertët ndërkohë vazhdojnë të analizojnë perspektivën e përfundimit të luftës, ndërsa vëmendja mbetet edhe te planet e Kremlinit për mobilizimin e qindra mijëra trupave të reja.
Lini një Përgjigje