Një analizë e ish-diplomatit italian Ettore Sequi mbi përplasjen e tri kulturave strategjike që udhëheqin SHBA-në, Iranin dhe Kinën. Nga pokeri te shahu e deri te Weiqi, secila palë ndjek një logjikë të ndryshme në një proces negociimi të brishtë. Në këtë sfond, fuqia e butë e Kinës del në pah, ndërsa ajo e SHBA-së duket në rënie.
Në luftën midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit dhe në rrugëtimin që çoi drejt nisjes së negociatave në Pakistan, “janë ballafaquar tri kultura strategjike, që u korrespondojnë tri lojërave të ndryshme”.
Donald Trump u përpoq të impononte logjikën e pokerit; Irani u përpoq të mbijetonte me logjikën e shahut, ndërsa Kina punoi për të ndryshuar mjedisin dhe gjeometrinë e krizës me Weiki-n (Go).
Ettore Sequi, ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme italiane dhe ish-ambasador në Kinë, përdor këtë metaforë për të përshkruar sjelljen e SHBA-së, Iranit dhe Kinës në krizën e madhe nga e cila do të varen ekuilibrat e botës.
Le të nisim analizën me Trumpin. Pse loja e tij është pokeri?
Sepse ishte vetë Trumpi që, kur nisi të thoshte se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk i kishte “letrat” për të negociuar, nxiti idenë e pokerit. Pokeri është
një lojë ku mbretëron terri informativ: çdo lojtar njeh letrat e veta, por jo ato të kundërshtarëve. Është një bixhoz i llogaritur që bazohet në elemente si blofi, presioni psikologjik, rritja e shumës së bastit etj., dhe të gjitha këto janë shumë të dukshme në taktikën e Trumpit.
Shtetet e Bashkuara kanë vepruar kryesisht me logjikën e pokerit, me një përdorim të gjerë të “ultimatumeve të fundit”, përshkallëzimit verbal dhe kërcënimeve për goditje dërrmuese, në kërkim të një rezultati të shpejtë, të dukshëm dhe të përdorshëm si trofe edhe brenda SHBA-së.
Kjo është një logjikë që e shohim edhe në formatin e armëpushimit, sipas amerikanëve: dy javë negociata me dyer të mbyllura, një dorë e shpejtë dhe me informacion të kufizuar, njëlloj si në poker.
Ndërkohë, cila është loja e Iranit?
Loja e Iranit është ajo e shahut, që jo më kot lindi në Persi (fjala rrjedh nga persishtja shāh, që do të thotë “mbret”). Në shah, qëllimi është të mbrohet mbreti, domethënë Udhëheqësi Suprem (jo personi në vetvete, por institucioni). Për regjimin iranian, kjo është një luftë ekzistenciale, ku në lojë është mbijetesa e tij.
Shahu është një lojë ku vlen pozicioni dhe jo iluzioni, ku gjithçka është e dukshme mbi tabelë, ndryshe nga pokeri. Çdo lëvizje lidhet me të mëparshmet dhe me ato pasuese, dhe parashikohet që të sakrifikohen pjesë për të mbrojtur mbretin.
Në fund, është një lojë rezistence: absorbohen sulmet, humben asete jo jetike, synohet të menaxhohet koha dhe të zgjatet ndeshja për të shmangur humbjen. Nëse mbreti nuk rrëzohet, loja vazhdon.
A vlejnë këto logjika të ndryshme edhe për negociatat?
Po. Teherani i qaset armëpushimit me të njëjtën frymë. Ai dëshiron të shpëtojë thelbin e pozicionit të vet (aspektet negociuese që njohim) dhe ta detyrojë kundërshtarin në një ndeshje të gjatë, duke e ditur se Trumpi është nën presionin e tregjeve dhe opinionit publik.
Po kinezët, çfarë loje po luajnë?
Logjika e Kinës, përmes Pakistanit, pasqyron lojën Weiki (e njohur edhe si Go). Loja ka të bëjë me rrethimin e kundërshtarit, me mbështjelljen e tij pa u vënë re. Në weiqi ekzistojnë hapësira dhe ndikimi; nuk ka një qendër vendimtare dhe nuk synohet shkatërrimi i një pjese kyçe, por vendosen shumë gurë të vegjël bardhë e zi (edhe në periferi) për të rrethuar kundërshtarin.
Pakistani ka qenë ai që në Weiki quhet “guri anësor”, i cili duket dytësor. Por, në realitet, duke u lidhur me të tjerët, transformon të gjithë ekuilibrin.
E çfarë synon të arrijë Pekini me këtë “dorë” weiki?
Në fillim Kina nuk u ekspozua. Pekini, që gjithsesi kishte grumbulluar disa rezerva nafte, importon rreth 40 për qind të nevojave të tij nga Gjiri. Pakistani është edhe më i varur: rreth 80 për qind e importeve të tij të naftës vijnë nga atje.
Pekini nuk kërkoi goditjen teatrale, por u angazhua për të krijuar lidhje, duke përdorur edhe gurë periferikë, si Pakistani. Për herë të parë, patëm një “aziatizim” të negociatave të Lindjes së Mesme. Kina mbajti komunikime me të gjithë, duke i rreshtuar gurët në atë mënyrë që të tjerët u gjendën të mbështjellë në këtë rrjet.
Cilat janë avantazhet e saj?
Nga pikëpamja kineze, problemi nuk është vetëm qasja në naftën e Gjirit, por edhe arritja e disa objektivave: të fitojë peshë gjeopolitike dhe të shfaqet si një fuqi e parashikueshme, paqësore dhe përgjegjëse. Në planin e fuqisë së butë, sa më impulsive të duket SHBA-ja, aq më shumë përfiton Kina.
A ka sens të thuhet kush fiton e kush humbet, duke qenë se flasim për tri lojëra të ndryshme? Mund ta themi me njëfarë përafrimi. Ajo që me siguri nuk po fiton është SHBA-ja. Hyri në luftë në një situatë ku në Hormuz kalohej pa probleme, ndërsa sot jemi në një pikë ku ngushtica jo vetëm është e bllokuar, por Irani është vetëofruar si subjekt i aftë për ta menaxhuar. Pra, kjo luftë, e nisur nën hijen e uraniumit të pasuruar, është shndërruar në një luftë sistemike nën hijen e naftës.
Po iranianët?
As iranianët nuk po fitojnë, por në një mënyrë më pak të rëndë se SHBA-ja. Irani është goditur rëndë dhe është dobësuar; klasa e tij udhëheqëse është goditur, por në thelb ka marrë një njohje të rolit të vet përmes kontrollit të Hormuzit dhe të ardhurave përkatëse.
Nëse regjimi mbijeton, do të pozicionohet në një vend më qendror se më parë në rajon. Nëse shkohet drejt një menaxhimi të ngushticës midis Iranit dhe Omanit (ku ndoshta edhe amerikanët fitojnë diçka), do të rritet pesha e tij ndaj vendeve të Gjirit.
Po tek fituesit kë duhet të futim? Do të vendosja Pakistanin si fitues taktik, për tri arsye: nëse Hormuzi rihapet, zgjidh problemin e tij energjetik; ka rritur rolin e tij gjeopolitik; dhe ka forcuar raportet me amerikanët.
Dhe pastaj është edhe Kina… Kina është një fituese strategjike. Pa u ekspozuar dhe me mekanizmin e weiqi-t, ka ndihmuar në shmangien e një shoku global; ka mbrojtur interesat e veta energjetike; dhe ka përforcuar, në terma gjeopolitikë dhe perceptimi, imazhin e saj si një vend i përgjegjshëm.
PBB-ja kineze rritet përmes kërkesës së jashtme, pra tregtisë ndërkombëtare. Është e qartë se, kur ndalojnë flukset dhe kemi tronditje sistemike si ato të Gjirit, ky sektor vuan.
Po Izraeli?
Hëpërhë nuk fiton, pasi objektivi i tij, në variantin më të mirë, ishte ndryshimi i regjimit iranian ose të paktën dobësimi i tij vendimtar. Sa i përket Libanit, objektivi i Izraelit duket të jetë kontrolli i drejtpërdrejtë i hapësirës mes kufirit dhe lumit Litani. Izraeli nuk është pjesë e armëpushimit, por potencialisht është në gjendje të ndikojë në mbijetesën e tij.
Ç’mund të themi për vendet e Gjirit?
Ato po barazojnë. Përveç dëmeve të mëdha në infrastrukturë, këto vende kanë marrë edhe një “thirrje zgjimi”: siguria nuk mund të blihet as me të ardhurat energjetike, as me praninë amerikane. “Marka” e Gjirit, e bazuar te stabiliteti, ka dalë e dëmtuar. Vlera e pronave në Dubai ka rënë mesatarisht me 30 për qind.
Sa i thellë është dëmi që i ka shkaktuar Trump Shteteve të Bashkuara?
Fuqia e butë amerikane del shumë e dobësuar nga kjo krizë, ndryshe nga ajo e Kinës. Dikur Amerika kishte si fuqinë e fortë, ashtu edhe atë të butë; tani i ka mbetur kryesisht e para. Por problemi është se vetëm ajo nuk mjafton, siç u pa në këtë rast. Edhe pse kishte një mbizotërim ushtarak të padiskutueshëm, Trumpi po nxitonte të dilte nga lufta.
Ç’prisni nga negociatat që nisën sot në Islamabad?
Këto negociata nisin mbi themele shumë të dobëta. Plani iranian me 10 pika është sintezë e gjithçkaje që amerikanët kanë refuzuar gjithmonë. Nuk ka dakordësi as mbi atë se çfarë është rënë dakord.
Ka asimetri të mëdha: Uashingtoni, ndryshe nga Teherani, nuk dëshiron një marrëveshje të madhe, por një marrëveshje sektoriale. Mbi këto baza, është e qartë se gjithçka mund të dështojë.
Edhe pse Irani del nga pesë javë luftë me një ekonomi të rrënuar, që në afatmesëm mund të sjellë trazira dhe protesta edhe Trumpi ka nevojë që armëpushimi të qëndrojë. Iranianët kanë kuptuar shumë mirë një gjë: për Trumpin, tregjet, çmimet e energjisë, inflacioni dhe opinioni publik janë çështje jashtëzakonisht të ndjeshme./ Përshtati "Pamfleti", nga “Huffington Post Italia”
nje analiz qe do tishkonte pershtat Italis. duhet te jesh ne eliten ameirkane te kuptosh ate qe thot ky pokerin amerikan, irani ka bere 2 here tentativ vrasje , ka nderhyr ne zgjedhjet amerikane , normal qe ky qe fitoi do ti shkonte deir ne fund , po te shikosh si te pa shkeputur retoriken amerikane ndja europianve do te kuptosh q ene kete poker apo shah apo go , eshte ne te miren e europes te qendroj ne krah te amerikes dhe jo ne krah te kines, kina shfaqet si fuqi e bute por ka berpdor fuqi te forta si irani dhe rusia, europa krizen e ka me rusin dhe jo me ameirken, retorika amerikane eshte thjesht te ket dore te lire ne lojen e pokerit ne azi, po me shtete si uk franc itali spanje gjermamni qe deri para 2 vjetesh as qe donin te degjonin por dhe rogoz tallnin trapin me shpenzimet amerikane , shume vone arriten te kuptojne pask a ahsumne cdo te thot poker , por ka poker frances dhe popker ameirkan , deri tani amerikanet kane lujatur dhe treguuar pokerin amerikan , tani me trmpin jan kthyer ne pokerin frances ....