Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se Izraeli është i gatshëm të nisë bisedime të drejtpërdrejta me Libanin për një marrëveshje paqeje historike që do të zgjasë me breza.
Ai shtoi se ka dy kushte kryesore për këtë marrëveshje; çmontimin e plotë të armëve të Hezbollahut dhe një paqe të qëndrueshme që të zgjasë për breza të tërë.
“Libani na është afruar disa herë gjatë muajit të kaluar për të filluar bisedime të drejtpërdrejta për paqe. Kam dhënë miratimin tim, por me dy kushte: duam çmontimin e armëve të Hezbollahut dhe duam një marrëveshje të vërtetë paqeje që do të zgjasë për breza”, tha Netanyahu në një deklaratë televizive.
Deklarata vjen në një moment kur Izraeli dhe Libani po përgatiten për bisedime të mundshme që pritet të zhvillohen javën e ardhshme në Uashington, nën presionin e Shteteve të Bashkuara.
Netanyahu ka urdhëruar kabinetin e tij që të nisë negociatat “sa më shpejt të jetë e mundur. Sipas burimeve ndërkombëtare, Libani ka shprehur interes për dialog, por ka kushte të veta, përfshirë zbatimin e një armëpushimi të qëndrueshëm dhe tërheqjen izraelite nga territori libanez.
Ndërkohë, Hezbollah ka shprehur kundërshtim ndaj bisedimeve të drejtpërdrejta pa një armëpushim paraprak. Mbetet për t’u parë nëse bisedimet do të çojnë në rezultate konkrete, apo nëse dallimet e thella midis palëve do të pengojnë arritjen e një marrëveshjeje historike.
Lini një Përgjigje