
Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin italian. Një vajzë 23‑vjeçare është përdhunuar pranë stacionit të metrosë Jonio, në zonën verilindore të Romës, në orët e vona pas mesnate. Autorët e dyshuar janë tre burra, të cilët pas ngjarjes janë larguar me shpejtësi dhe mbeten ende të paidentifikuar.
Sipas të dhënave paraprake nga autoritetet italiane, e reja sapo kishte dalë nga stacioni i metrosë, në një zonë të rrethuar nga pallate banimi, por thuajse e zbrazët në atë orë. Ajo është ndaluar nga tre persona: dy prej tyre e kanë mbajtur, ndërsa i treti ka ushtruar dhunë seksuale.
Pas ngjarjes, tre agresorët janë zhdukur në rrugicat e lagjes, duke përfituar nga errësira dhe mungesa e kalimtarëve. Vetëm britmat e vajzës kanë thyer qetësinë e natës, pasi ajo ka kaluar fillimisht momente shoku.
E reja ka arritur të shkojë vetë në spital, në urgjencën e spitalit Pertini, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore dhe ka kallëzuar ngjarjen. Menjëherë pas njoftimit, në spital kanë mbërritur forcat e rendit.
Prokuroria e Romës ka hapur një hetim penal, ndërsa Karabinierët po punojnë intensivisht për të zbardhur rrethanat e sulmit. Për momentin, identiteti i autorëve mbetet i paqartë. Viktima ka deklaruar se tre personat u shfaqën papritur, por nuk ka mundur të japë përshkrim të saktë mbi moshën apo karakteristikat e tyre.
Autoritetet po analizojnë pamjet nga kamerat e sigurisë në zonë dhe kanë bërë thirrje për çdo dëshmitar të mundshëm që mund të ketë parë ose dëgjuar diçka të dyshimtë gjatë asaj nate.
Ngjarja ka rikthyer në qendër të debatit çështjen e sigurisë publike në zonat urbane dhe mbrojtjen e grave gjatë orëve të natës, duke ngjallur reagime dhe shqetësim të fortë në opinionin publik italian.
Lini një Përgjigje