
Rreziku në rritje i një lufte midis Rusisë dhe Kinës, paraqet sfidën më të rëndësishme për stabilitetin global në këtë dekadë. Në fakt, deri në fund të viteve 2020, një përplasje e armatosur midis dy vendeve për shkak të pretendimeve territoriale gjithnjë e më agresive të Kinës kundër Rusisë, duket si një mundësi e veçantë, e cila do të sjellë pasoja në mbarë botën.
Mos u gënjeni nga propaganda e partneritetit “të pakufijshëm” midis Moskës dhe Pekinit dhe nga fakti se që nga fillimi i luftës në shkallë të gjerë në Ukrainë, marrëdhëniet tregtare dhe ushtarake kanë qenë në rritje.
Dhe as nga miqësia e gjatë personale midis Vladimir Putin dhe Xi Jinping, apo aleanca e tyre ideologjike dhe gjeostrategjike, kryesisht me leverdi për të dyja, kundër fuqisë dhe ndikimit të vazhdueshëm të Amerikës në çështjet botërore.
Duke besuar se tashmë ka ardhur koha e Kinës që të zërë sërish vendin e saj historik si “Mbretëria Qiellore”, superfuqia e Azisë Lindore, zgjerimi i saj territorial kundër të gjithë fqinjëve të saj është sot elementi më i parashikueshëm dhe i palëkundur në politikën e jashtme kineze.
Nën sfondin e pushtimit de fakto të ujërave të Detit të Kinës Jugore vitet e fundit, provokimeve të vazhdueshme ushtarake kundër Tajvanit dhe Filipineve, dhe qëndrimit gati luftarak kundër një territorit rrëzë Himalajave të kontestuar me Indinë, ngritja e kërkesave territoriale kryesisht të rreme dhe revanshiste kundër Rusisë, është sot në fokusin e vendimmarrësve kinezë, me një probabilitet të lartë për ripërtëritjen e përplasjeve të armatosura midis dy vendeve.
Kina dhe Rusia gati e nisën një luftë në vitin 1969
Sulmet e paprovokuara dhe të përgjakshme të Kinës ndaj trupave sovjetike përgjatë kufijve të atëhershëm midis lumenjve Amur dhe Ussuri në Lindjen e Largët Ruse në vitin 1969, vazhdojnë të kenë jehonë ende sot dhe të nxisin frikën e vjetër midis 2 vendeve të mëdha.
Sipas rrjedhjeve të fundit të orkestruara nga Moska, shtabi i përgjithshëm i ushtrisë ruse kishte parashikuar një luftë bërthamore me Kinën deri një dekadë më parë. Ndaj sipas të gjitha gjasave, ushtria ruse vazhdon të ketë plane ushtarako-operative për përdorimin e armëve strategjike kundër Kinës, nëse në të ardhmen krijohen rrethana si ato të vitit 1969.
Dhe duke parë nga zhvillimet në lindje, rrethana të tilla mund të kenë filluar të lindin që nga viti i kaluar, ku u vu re provokimi i parë i Kinës kundër Rusisë me publikimin e një harte të vjetër që ngre pretendimet territoriale kundër vendeve fqinje.
Kështu, qyteti port strategjik i Vladivostok në Lindjen e Largët të Rusisë, njihet në hartën kineze si Haishanwai. Kjo është një mënyrë jo shumë delikate e Pekinit për të konfirmuar pretendimet revanshiste për pjesë territoresh pak të populluara të Rusisë në kufi me Kinën Veri-lindore dhe Mançurinë.
Ato iu dorëzuan Carëve gjatë epokës së dinastisë Qing përmes atyre që Pekini i quan “traktate të pabarabarta” në mesin e shekullit XIX-të. Reagimi i Moskës ndaj kësaj harte kineze nuk dihet publikisht.
Megjithatë, Kremlini reagoi shpejt ndaj një përpjekje të ngjashme nga Pekini në gushtin e vitit të kaluar për ta etiketuar si tërësisht kinez ishullin lumor Bolshoy Ussuriysky në bashkimin e kufijve në lumenjtë Amur dhe Ussur pranë Khabarovsk në Lindjen e Largët të Rusisë.
Kjo edhe pse ishulli i madh u nda midis Rusisë dhe Kinës në demarkacionet formale të kufirit në vitin 2005 dhe të rikonfirmuar në vitin 2008. Replika e Moskës ndaj këtij akti ishte deklarata se “Rusia dhe Kina e kanë konfirmuar vazhdimisht mungesën e pretendimeve të ndërsjella territoriale”, duke i dërguar një paralajmërim të nënkuptuar për të hequr dorë nga ambiciet territoriale kundër Rusisë
Si mund të nisë një luftë Rusi-Kinë
Marrëdhëniet Kinë-Rusi paraqesin një paradoks: edhe pse Rusia mbetet në përgjithësi e izoluar, subjekt i sanksioneve të rrepta ndërkombëtare, dhe rrjedhimisht pothuajse tërësisht e varur nga Kina për mirëqenien e saj ekonomike dhe financiare, përputhshmëria aktuale gjeopolitike midis dy palëve ka të ngjarë të mbetet kalimtare.
Së pari, sepse Rusia do të vazhdojë të mbetet në thelb historikisht e kujdesshme dhe mosbesuese ndaj fqinjit të saj gjigant lindor. Së dyti, sepse Kina nuk ka gjasa të braktisë synimin e saj të vjetër për zgjerim territorial në të gjithë Euroazinë, përfshirë Rusinë.
Një nga skenarët për nxitjen e një krize diplomatike midis Moskës dhe Pekinit, është që Kina të publikojë një hartë tjetër false, si Bolshoy Ussuriysky, duke treguar si pjesë e Kinës Vladivostokun dhe rrethinat e tij që kanë një rëndësi të madhe ushtarake për Moskën.
Ose duke llogaritur se ekziston një hapësirë strategjike manovrimi përballë një Rusie të dobësuar për të rimarrë territoret e saj “të humbura” perandorake, nuk është e pa imagjinueshme që deri në fund të kësaj dekade Kina të dërgojë trupat e saj për të pushtuar disa territore ruse të rëndësishme strategjike, ngjitur me provincat verilindore të Kinës.
Tani që vendimmarrësit e Kinës janë të prirur ndaj një përzierjeje toksike të nacionalizmit agresiv, revanshizmit dhe vizioneve të madhështisë, nuk ka gjasa që t’i rezistojnë tundimit për të kërkuar një ri-vizatim të kufijve aktualë me Rusinë, për të korrigjuar ato që ata i konsiderojnë si kufij territorialë historikisht të padrejtë dhe të imponuar nga Carët.
Megjithatë, pavarësisht nga ankesat dhe ambiciet historike të Kinës, nuk ka dyshim se Rusia do të përdorë armët kundër çdo cenimi kinez, siç bëri 55 vjet më parë. Ndaj duhet të përgatitemi për një përplasje midis dy shteteve të armatosura bërthamore deri në fund të viteve 2020./Përshtati Pamfleti nga “19 FortyFive”
Shënim: Pravin Jethwa, këshilltar i mbrojtjes dhe sigurisë ndërkombëtare në Londër. Më herët ka shërbyer në një panel ekspertësh mbi kontrollin strategjik të armëve, menaxhimin e krizave dhe marrëdhëniet e superfuqive në ish-Këshillin për Kontrollin e Armëve në Kolegjin Mbretëror të Londrës.
Lini një Përgjigje