
Gjatë muajve të ardhshëm, votuesit duhet ta bëjnë të qartë se nuk duan një përsëritje të situatës së vitit 2020. Dhe në nëntor, amerikanët duhet të shkojnë në qendrat e votimit dhe të votojnë kundër kujtdo që refuzon të përmbushë “detyrimin e tij për të pranuar humbjen”...
Kur amerikanët të shkojnë në votime në nëntor, do të zgjedhin një president, dhe në varësi të rezultateve të zgjedhjeve, do të nxitin një përsëritje të kaosit pas-zgjedhor të 2020-ës. Ne duhet të përballemi me këtë fakt që tani, duke pranuar gjasat e përballjes me një tjetër traumë kombëtare pas rreth 6 muajsh.
Disa njerëz, si profesoresha e Universitetit Xhorxhtaun, Rosa Brooks, janë më pak të shqetësuar mbi atë që mund të ndodhë këtë vit, sesa për atë që ndodhi në vitin 2020, kur Donald Trump ishte në Shtëpinë e Bardhë. Siç shprehet ajo “një president ka një nivel pushteti shtrëngues, që nuk e zotëron një kandidat (si Trump)”.
Brooks pret që këtë vit, me Joe Biden ende në detyrë, FBI-në dhe Departamentin e Sigurisë Kombëtare, të jenë më të suksesshëm në parandalimin e daljes jashtë kontrollit të çdo lloj dhune politike. Ose siç e thekson një analizë e fundit në The Washington Post, nëse Trump humbet “ai nuk do të jetë presidenti aktual si në vitin 2020, kur kërkoi sekuestrimin e makinerive të votimit nga qeveria federale, përmendi mundësinë e vendosjes së ligjit ushtarak në vend, apo kur përdori megafonin presidencial për t’i bindur përkrahësit e tij se një manipulim i madh ia vodhi atij mandatin e dytë”.
Por edhe Washington Post e pranon se Trump “ka ende një lidhje jashtëzakonisht të fortë me ndjekësit e tij”. Disa nga protestuesit e vitit 2021, u shprehën se u motivuan në aktet e tyre ekstreme nga deklaratat e Donald, duke ngritur jo pak pikëpyetje se çfarë mund të bëjë ai nëse mposhtet sërish këtë vit.
Në fakt, vetë Trump po i lë pak vend imagjinatës se çfarë mund të bëjë pas zgjedhjeve, dhe amerikanët nuk kanë luksin të jenë të vetëkënaqur mbi atë që mund të ndodhë. Trump e ka bërë të qartë se ky vit do të ketë zgjedhje me rreziqe më të mëdha. “Kjo është beteja e fundit. … Ose fitojnë ata, ose ne”.
Ai ka paralajmëruar se “nëse nuk i fitojmë këto zgjedhje, nuk mendoj se do të kemi zgjedhje të tjera në këtë vend”. Dhe më shumë se një vit më parë, Trump refuzoi të premtonte se do të pranojë rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të këtij viti.
Në atë kohë, ish-presidenti tha se do ta pranonte rezultatin vetëm nëse beson se nuk ka pasur manipulim të votave. Ditët e fundit, Donald Trump ka sinjalizuar sërish se pavarësisht nga rezultatet e zgjedhjeve, ai nuk do të rrijë duarkryq.
Në një intervistë për revistën “Time” të botuar të martën e kaluar, Trump u përpoq të anashkalonte pyetjen se çfarë do të bëjë nëse do të humbë, teksa recitoi listën e gjatë të ankesave të tij për zgjedhjet e vitit 2020.
“Epo, unë mendoj se do të fitojmë. Ne jemi shumë përpara në sondazhe. Nuk mendoj se ata do të jenë në gjendje të bëjnë gjërat që bënë herën e fundit, të cilat ishin të tmerrshme. Absolutisht të tmerrshme”- theksoi ai. Më pas, e pranoi se mund të mos e pranojë rezultatin nëse ai i jep humbjen.
“Dhe nëse nuk fitojmë, sjellja jonë do të varet gjithmonë nga ndershmëria e zgjedhjeve”-theksoi ai. Kjo na kujton se në botën e Trump duket se ka vetëm dy rezultate të mundshme zgjedhore. Nëse ai fiton, zgjedhjet janë të drejta. Nëse ai humbet, ato janë të manipuluara.
Më 1 maj, Trump refuzoi sërish të premtonte se do të pranojë rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit. “Nëse gjithçka është e ndershme, unë do ta pranoj me kënaqësi rezultatin. Unë nuk ndryshoj për këtë. Nëse jo, duhet të luftoj për të drejtën e vendit”-theksoi ai.
Siç vëren New York Times “zotimi i Trump për të ‘luftuar për të drejtën e vendit’, i bën jehonë edhe fjalimit të tij më 6 janar 2021, ku ai u tha mbështetësve të tij se ‘nëse nuk luftoni si djajtë, nuk do të keni më një vend’, përpara se t’i nxiste mbështetësit e tij të marshonin drejt Capitol Hill”.
Siç e thekson New York Times, gjatë muajve të fundit Trump “është përpjekur në mënyrë të përsëritur që të nxisë dyshime mbi integritetin e zgjedhjeve të vjeshtës, duke përsëritur të njëjtat gënjeshtra që përdori për të sulmuar integritetin e zgjedhjeve të 2020-ës”.
Dhe disa muaj përpara votimeve, Trump ka përsëritur rregullisht pretendimin e pabazë, sipas të cilit demokratët ka të ngjarë të manipulojnë sërish procesin për të fituar. Ai e ka quajtur vazhdimisht si “ndërhyrje në zgjedhje” gjyqin ndaj tij që po zhvillohet aktualisht në Nju Jork.
“Unë jam këtu në vend se të isha në Pensilvani, Georgia dhe shumë vende të tjera, duke bërë fushatë. Kjo është shumë e padrejtë”-ka thënë ai. Avokatët e tij i kanë përsëritur argumentet e tij për ndërhyrjen në zgjedhje. “Këshilltari i posaçëm”- i thanë ata Gjykatës së Lartë në një raport përmbledhës mbi çështjen e imunitetit presidencial, “kërkon urgjentisht të detyrojë Trumpin t’i nënshtrohet një gjyqi penal në kulmin e fushatës, duke e penguar të rivalizojë si duhet presidentin aktual”.
Një sondazh i fundit i CNN, tregon se “gati treçereku i amerikanëve, 74 për qind, besojnë se ish-presidenti Trump do të refuzojë të pranojë rezultatin, nëse ai i humbet zgjedhjet e këtij viti”. Ky sondazh, vuri në dukje se kjo është “një rritje e konsiderueshme, në krahasim me sondazhet e ngjashme në vitin 2020”.
Një shqetësim të ngjashëm ka shprehur edhe presidenti Biden:”Humbësit që janë humbës, nuk janë kurrë të hijshëm. Unë mendoj se ai do të bëjë gjithçka për të fituar. Nëse fitoj unë, mendoj se ai do ta kontestojë. Pavarësisht se cili është rezultati”.
Biden ka të drejtë. Pyetja është se çfarë do të bëjë ai - dhe ne - nga tani e deri në nëntor.
Zyrtarët shtetërore të zgjedhjeve dhe administrata Biden, duhet të hartojnë plane për të siguruar ndershmërinë e zgjedhjeve të këtij viti dhe për të mbrojtur rezultatet e tyre.
Media kombëtare do të ketë një rol të madh në këtë përpjekje.
Por rolin e tyre duhet të luajnë edhe votuesit. Sondazhi i CNN, zbuloi se “një shumicë dërrmuese të anketuarish, rreth 86 për qind, thanë se kandidati humbës në zgjedhjet presidenciale ka detyrimin ta pranojë humbjen”. Dhe kjo është një shifër që të qetëson.
Por nuk do të ketë asnjë vlerë, nëse njerëzit që mendojnë kështu, nuk e kthejnë angazhimin e tyre në një qëndrim që shprehet në qendrën e votimit.
Gjatë muajve të ardhshëm, votuesit duhet ta bëjnë të qartë se nuk duan një përsëritje të situatës së vitit 2020. Dhe në nëntor, amerikanët duhet të shkojnë në qendrat e votimit dhe të votojnë kundër kujtdo që refuzon të përmbushë “detyrimin e tij për të pranuar humbjen”./Përshtati Pamfleti nga “The Hill”
Shënim: Austin Sarat, profesori i Jurisprudencës dhe Shkencave Politike në Kolegjin Amherst, SHBA.
Lini një Përgjigje