
Përderisa vende si Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Australia i kanë futur në listën e zezë të dy firmat, një ndalim i tillë nuk ekziston në Evropë.
Por, mes një vizite historike evropiane nga lideri kinez Xi Jinping që filloi më 5 maj, një mori skandalesh spiunazhi kinez në të gjithë kontinentin dhe një goditjeje nga BE-ja ndaj praktikave tregtare kineze, fuqia në rritje e këtyre kompanive në Evropë mund të shënojë një pikë kthese.
"Ne kemi parë që biseda të evoluojë me kalimin e kohës në vende si Shtetet e Bashkuara dhe të çojë në një ndalim, por është ende e paqartë se cilën rrugë do të ndjekin vendet evropiane," shtoi Healy.
Nuk ka shifra zyrtare për numrin e kamerave të vëzhgimit të prodhuara në Kinë të blera nga Hungaria apo shtrirjen e përdorimit të teknologjisë kineze të njohjes së fytyrës atje.
Por, sipas Shodan, një softuer kërkimi për pajisjet e lidhura me internetin, ka 3.567 pajisje Dahua dhe 18.166 Hikvision që operojnë në vend.

Sipas faqes hungareze të lajmeve, Atlatszo, policia e Hungarisë nënshkroi kontratat e para me Dahuan në vitin 2017, duke nënshkruar marrëveshje për rojet kufitare të vendit dhe sistemin administrativ të policisë për të përdorur kamerat dhe softuerin e kompanisë.
Të dhënat e përpiluara nga Sistemi Elektrik i Prokurimit Publik të Hungarisë tregojnë se disa universitete dhe Akademia e Shkencave, kanë blerë produkte Hikvision.
Disa administrata lokale, si dhe policia e trazirave të Hungarisë përdorin gjithashtu kamerat e vëzhgimit të kompanisë kineze.
Megjithatë, në disa raste, përdorimi i produkteve kineze është ndaluar.
Në një rast në vitin 2023, prodhuesi gjerman i armëve Rheinmetall bllokoi përdorimin e kamerave kineze në fabrikën e tij në Hungarinë perëndimore.
Megjithatë, përdorimi i pajisjeve duket se do të rritet, veçanërisht pasi lidhjet midis Budapestit dhe Pekinit thellohen nën kryeministrin hungarez, Viktor Orban.
Në shkurt, Hungaria nënshkroi një marrëveshje sigurie me Kinën për të rritur bashkëpunimin midis agjencive të tyre të zbatimit të ligjit. Marrëveshja mund të çojë në patrullim të policisë kineze në pjesët më të qarkulluara të Budapestit, ku jeton diaspora më e madhe kineze në Evropën Qendrore.
Është e paqartë se si do të ndahen të dhënat dhe qasja në kamera midis zyrtarëve hungarezë dhe kinezë, por kjo situatë ka ngritur zile alarmi në Bruksel dhe në mesin e aktivistëve kinezë jashtë shtetit.
Qindra mijëra kamera Dahua dhe Hikvision janë instaluar në të gjithë Ukrainën, sipas të dhënave të përpiluara nga baza e të dhënave të industrisë ImportGenius dhe të siguruara nga Radio Evropa e Lirë.
Organet e rendit në Ukrainë dhe kompanitë private kanë blerë një numër të madh të kamerave të vëzhgimit të prodhuara nga Kina.

Sipas ImportGenius, kompania ukrainase "Shtëpia tregtare e sistemeve të vëzhgimit me kamerë" është blerësi më i madh i kamerave Dahua dhe pajisjeve të tjera.
Të dhënat tregojnë se kompania ukrainase bleu më shumë se 1 milion pajisje të mbikëqyrjes me video - e cila përfshin kamera vëzhgimi, pajisje termike të imazhit dhe pajisje të tjera me kamera - nga viti 2016 deri në 2023./REL
Lini një Përgjigje