
Ish-drejtori i CIA-s, James Woolsey ka folur për skandalin e rrjedhjes së informacionit në “Signal”, ku diskutohej për planet e sulmit në Jemen. Në një intervistë për “La Repubblica”, tha se të gjithë pjesëtarët në bisedë janë përgjegjës dhe se informacionet e klasifikuara nuk mund të diskutohen kurrë në telefon.
Sipas tij, një informacion i tillë s’mund të diskutohet në telefona për dy arsye, së pari rrezikohet jeta e ushtarëve të përfshirë dhe së dyti, rrezikon gjithashtu që operacioni të dështojë. I pyetur për tentativat për të minimizuar skandalin, ish-drejtori i CIA-s thotë se nuk ka asnjë justifikim për një sjellje të tillë.
Intervista e plotë:
-Si e vlerësoni faktin që kreu i Pentagonit ndau në një bisedë në Signal oraret dhe armët e përdorura për një sulm kundër Houthi, duke e diskutuar me kolegë nga CIA, inteligjenca kombëtare dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë?
Askush nuk duhet të diskutojë kurrë asnjë çështje ushtarake, informacion top sekret apo plane që lidhen me sigurinë kombëtare në telefon. Kurrë, në asnjë rrethanë.
-Pse?
Ka shumë arsye, por dy janë kryesoret: duke vepruar kështu, rrezikohen jetët e ushtarakëve të përfshirë në operacion dhe gjithashtu rritet mundësia që ai të dështojë.
-Por administrata përgjigjet se informacionet e diskutuara në bisedën në Signal nuk ishin të klasifikuara, ishin tashmë komunikuar me vendet aleate të përfshira dhe nuk komprometuan në asnjë mënyrë suksesin e misionit. A nuk janë këto arsye të mjaftueshme për ta mbyllur çështjen?
Nuk ka asnjë justifikim për një sjellje të tillë. Asnjë.
-Nëse është kështu, çfarë duhet të bëjë presidenti Trump me këshilltarët e tij më të afërt, që u përfshinë në këtë gabim?
Nuk kam më përgjegjësi qeveritare, prandaj preferoj të mos hyj në këto aspekte të debatit. Është e drejtë që vlerësimet t’u lihen atyre që duhet të marrin vendime.
-Megjithatë, demokratët kanë kërkuar me forcë shkarkimin e zyrtarëve të lartë të përfshirë, dhe madje edhe disa republikanë po e sugjerojnë këtë pas kuintave. Pastaj ka nga ata që minimizojnë rëndësinë e incidentit, duke argumentuar se redaktori i The Atlantic, Goldberg, u shtua në bisedë gabimisht nga një punonjës i ulët i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Çfarë mendoni për këtë?
Përgjegjësia bie mbi ata që morën pjesë në bisedë.
-Po flasim për zyrtarë të nivelit më të lartë të administratës—nga kreu i Pentagonit te drejtori i CIA-s—të cilët nuk kanë kohë të merren me krijimin e një grupi në Signal.
Pikërisht. Prandaj përgjegjësia është e atyre që zgjedhin të marrin pjesë dhe të ndajnë këtë lloj informacioni.
Lini një Përgjigje