Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord për zbatimin e një armëpushimi të ri, pas një raundi bisedimesh të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Njoftimi u bë publik nga Departamenti Amerikan i Shtetit, pas negociatave që zgjatën rreth nëntë orë.
Sipas marrëveshjes, armëpushimi do të hyjë në fuqi vetëm nëse ndalet plotësisht zjarri nga Hezbollahu dhe luftëtarët e grupit largohen nga Libani jugor. Kjo pikë konsiderohet thelbësore nga Izraeli, i cili ka kërkuar çarmatimin e Hezbollahut dhe shkatërrimin e infrastrukturës së tij ushtarake.
Marrëveshja vjen në një moment tensionesh të larta në kufirin mes dy vendeve, ku armëpushimi ekzistues është shkelur disa herë gjatë muajve të fundit me sulme të ndërsjella. Qeveria izraelite kishte paralajmëruar më herët përshkallëzim të operacioneve ushtarake në Liban.
Një nga pikat kryesore të dakordësisë është krijimi i zonave pilot në Libanin jugor, ku kontrolli i territorit do t’u kalojë ekskluzivisht Forcave të Armatosura Libaneze. Plani synon përjashtimin e çdo grupi të armatosur jashtë strukturave shtetërore, por ende nuk ka një afat të qartë për zbatimin e tij.
Palët kanë rënë dakord të rifillojnë bisedimet politike dhe të sigurisë gjatë javës së 22 qershorit, me synimin për të arritur një marrëveshje më të gjerë dhe të qëndrueshme. SHBA-ja pritet të vijojë rolin e ndërmjetësuesit dhe të lehtësojë komunikimin mes Izraelit dhe Libanit.
Nga ana e tij, Libani ka kërkuar respektimin e kufijve ndërkombëtarë, zbatimin e plotë të armëpushimit dhe forcimin e sovranitetit shtetëror në të gjithë territorin. Shtetet e Bashkuara janë zotuar të mbështesin Forcat e Armatosura Libaneze për rritjen e kapaciteteve dhe kontrollin efektiv në vend.
Në deklaratën e përbashkët, palët dënuan gjithashtu veprimet e Iranit në rajon dhe mbështetjen për grupe të armatosura, të cilat sipas tyre cenojnë stabilitetin në Lindjen e Mesme.
Kjo histori ka qe ne 1948en.