Katër republikanë iu bashkuan demokratëve në miratimin e rezolutës, ndërsa rriten kundërshtimet në Kongres për menaxhimin e konfliktit me Teheranin dhe kohëzgjatjen e angazhimit ushtarak amerikan...
Presidenti amerikan Donald Trump pësoi një goditje të rëndësishme politike pasi Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një rezolutë që kufizon kompetencat e presidentit për të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Iranit. Vendimi përbën një shfaqje të rrallë pavarësie nga Kongresi i kontrolluar nga republikanët, në një kohë kur po shtohen pikëpyetjet mbi mënyrën e trajtimit të konfliktit me Teheranin dhe mbi kohëzgjatjen e përfshirjes ushtarake të SHBA-së.
Rezoluta u miratua të mërkurën me 215 vota pro dhe 208 kundër. Vendimtare rezultoi mbështetja e katër ligjvënësve republikanë: Thomas Massie, Brian Fitzpatrick, Tom Barrett dhe Warren Davidson, të cilët votuan së bashku me demokratët.
Nisma është pjesë e përpjekjeve të demokratëve për të kufizuar kompetencat presidenciale në çështjet e luftës, si në Dhomën e Përfaqësuesve ashtu edhe në Senat. Javët e fundit, kjo nismë ka fituar mbështetje në rritje edhe nga disa republikanë.
Rezoluta u paraqit nga Gregory Meeks, përfaqësues i shtetit të Nju Jorkut dhe drejtues i demokratëve në Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.
Votimi ishte planifikuar fillimisht për 21 maj, por u anulua në momentin e fundit nga drejtuesit republikanë, të cilët përballeshin me rrezikun e humbjes për shkak të mungesës së disa deputetëve.
Në atë kohë, Meeks akuzoi kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, se po përpiqej të vononte procesin për të mbrojtur Shtëpinë e Bardhë.
“Shumë nga kolegët e mi republikanë po përballen me presion në zonat e tyre elektorale, ndërsa qytetarët shohin rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve”, deklaroi ai për CNN.
Sipas Meeks, Johnson po përpiqej të mbronte presidentin, por hapësira për ta bërë këtë po ngushtohej me shpejtësi.
Një sfidë e re për Trump në Kongres
Miratimi i rezolutës është një tjetër rast kur Kongresi, megjithëse kontrollohet nga republikanët, shfaq gatishmëri për të kundërshtuar disa nga politikat e administratës Trump.
Ditët e fundit, senatorë republikanë kanë shprehur rezerva edhe ndaj një fondi prej 1,8 miliardë dollarësh kundër asaj që administrata e quan “instrumentalizim i drejtësisë”. Kritikat lidhen me shqetësimin se fondi mund të përdoret për kompensimin e mbështetësve të Trump që sulmuan forcat e rendit gjatë ngjarjeve të 6 janarit 2021 në Kapitol.
Po ashtu, republikanët në Senat hoqën nga një projektligj për emigracionin një fond që parashikonte masa sigurie për një sallë eventesh të lidhur me Trump, pasi organet përkatëse të Senatit vlerësuan se dispozita binte ndesh me rregullat buxhetore.
Pak para votimit, Mike Johnson mbrojti republikanët që kundërshtojnë kufizimin e kompetencave presidenciale në raport me Iranin. Në një deklaratë për CNN, ai tha se një masë e tillë mund të ketë pasoja “shumë negative” për negociatat diplomatike.
“Sipas meje, është jashtëzakonisht e rrezikshme t’i hiqet administratës dhe komandantit të përgjithshëm në këtë moment aftësia për të negociuar. Kjo është pikërisht ajo që bën rezoluta. Ajo dobëson pozicionin tonë dhe fuqinë tonë negociuese për paqen në rajon”, tha Johnson.
Ai shtoi se objektivat e SHBA-së ndaj Iranit ishin të qarta dhe se ishin arritur plotësisht, ndonëse një numër ligjvënësish, përfshirë republikanë, vazhdojnë të kërkojnë më shumë informacion nga administrata.
Sipas Johnson, presidenti ndodhet në fazën përfundimtare të një marrëveshjeje paqeje dhe duhet të ketë hapësirën e nevojshme për ta realizuar atë.
Hetim për ligjshmërinë e konfliktit
Ndërkohë, inspektorët e përgjithshëm të Pentagonit, Departamentit të Shtetit dhe USAID-it njoftuan nisjen e një hetimi të përbashkët mbi luftën e SHBA-së me Iranin.
Në deklaratën e tyre, ata theksuan se ligji i detyron të shqyrtojnë operacionet ushtarake jashtë vendit kur ato zgjasin më shumë se 60 ditë.
Ky zhvillim konsiderohet i rëndësishëm, pasi sugjeron se organet mbikëqyrëse vlerësojnë se konflikti ka tejkaluar tashmë kufirin 60-ditor që nga fillimi i tij më 28 shkurt.
Sipas Ligjit për Kompetencat e Luftës (War Powers Act), presidenti i SHBA-së nuk mund të mbajë forcat amerikane të angazhuara në armiqësi aktive për më shumë se 60 ditë pa miratimin e Kongresit.
Administrata Trump nuk ka kërkuar një autorizim të tillë për operacionin ushtarak kundër Iranit, të koduar me emrin “Epic Rage”.
Muajin e kaluar, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, argumentoi se afati 60-ditor ishte “rivendosur” pas shpalljes së armëpushimit nga Trump në muajin prill. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje