Irani pretendon se ka goditur një anije luftarake amerikane që shërbente si “qendër komandimi dhe kontrolli”, ndërsa ajo po afrohej pranë ujërave territoriale iraniane në Gjirin e Omanit.
Lajmi u publikua të mërkurën nga mediat shtetërore iraniane dhe agjencia e lajmeve Tasnim, e cila citoi burime ushtarake iraniane.
Sipas raportimit, marina iraniane vendosi në shënjestër anijen amerikane pasi, sipas Teheranit, SHBA kishte kryer sulme ndaj anijeve tregtare iraniane dhe kishte shkelur rregullat e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Deri tani nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar nga Uashingtoni lidhur me pretendimin e Iranit.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm iranian, Seyed Abbas Araghchi, deklaroi se operacionet ushtarake të Teheranit janë “veprime mbrojtëse” kundër objekteve që, sipas tij, përdoren nga Shtetet e Bashkuara për të sulmuar trafikun civil detar dhe për të shkelur armëpushimin.
“Çdo akt armiqësor do të marrë një përgjigje të menjëhershme dhe vendimtare. Ajo që sanksionet dhe lufta nuk arritën të realizojnë, nuk do të arrihet as me më shumë luftë”, shkroi Araghchi në platformën X.
Në të njëjtën kohë, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) bëri të ditur se që nga fillimi i bllokadës detare ndaj Iranit, forcat amerikane kanë devijuar 125 anije tregtare dhe kanë ndaluar gjashtë të tjera.
Po ashtu, CENTCOM hodhi poshtë pretendimet iraniane se sulmi ndaj terminalit të pasagjerëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Kuvajtit nuk ishte kryer nga Irani.
“Irani goditi aeroportin civil me dronë në një sulm të qëllimshëm, të llogaritur dhe të pajustifikuar”, deklaroi CENTCOM në një postim në rrjetin social X.
Përplasja e fundit vjen në një moment tensioni të lartë mes Teheranit dhe Uashingtonit, ndërsa incidentet në Gjirin Persik dhe Ngushticën e Hormuzit vazhdojnë të rrisin shqetësimet për sigurinë e lundrimit në një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë.
Lini një Përgjigje