
Ka shumë kafshë që lidhen tradicionalisht me botën e financave: derrat lakmitarë, tregjet “ariu” dhe startup-et “njëbrirësh”. Megjithatë, një peshkaqen gjigant apo një bretkosë e zakonshme nuk janë zakonisht ndër figurat që të vijnë në mendje kur mendon për paranë.
Megjithatë, ato janë mes 18 specieve të kafshëve që Banka e Anglisë po shqyrton për t’i vendosur në serinë e re të kartëmonedhave britanike. Banka qendrore britanike po rikthehet kështu në qendër të debatit publik me planin për të zëvendësuar figurat historike me kafshë të egra vendase në kartëmonedhat e Mbretërisë së Bashkuar.
Duke nisur nga sot, publiku britanik do të ketë një muaj kohë për të shprehur mendimin e tij se cila kafshë duhet të bëhet një simbol kombëtar, në kuptimin më të drejtpërdrejtë të fjalës, duke zënë vendin kryesor në kartëmonedhat prej 5, 10, 20 dhe 50 paundësh. Kjo do të thotë se figura të njohura si Winston Churchill mund të hiqen gradualisht nga qarkullimi.
Qytetarët do të zgjedhin mes ikonave të njohura britanike si puffini i Atlantikut, një zog detar me pupla bardhezi dhe sqep të kuq të ndezur; dhelpra e kuqe, një nga kafshët më të përhapura në vend; apo martin-peshkatarit, i njohur për ngjyrat e tij të ndritshme.
Lista përfshin edhe kandidatë më pak të zakonshëm, si kuna e pyllit, një gjitar i turpshëm që jeton në pyje të vjetra; shqiponja bishtbardhë, një grabitqar i madh që është rikthyer në natyrë përmes programeve të veçanta dhe që shpesh shkakton pakënaqësi te fermerët; si dhe curlew, një zog kënetash me sqep të gjatë dhe të harkuar.
Banka e Anglisë theksoi se të gjitha kafshët e përzgjedhura janë specie vendase të Mbretërisë së Bashkuar. Lista është hartuar nga një panel ekspertësh të jetës së egër dhe ndahet në tre kategori: gjitarë, zogj dhe grupi i amfibëve, insekteve dhe peshqve.
Megjithatë, kjo nuk pritet t’i bindë të gjithë kritikët. Udhëheqësi i partisë Reform UK, Nigel Farage, akuzoi në mars Bankën e Anglisë se po ndjek një qasje “woke”, pasi u përfol mundësia që figura e Winston Churchill-it në kartëmonedhën prej 5 paundësh të zëvendësohej nga një kastor.
Pa specie të huaja dhe pa kafshë shtëpiake
Edhe pse kastori nuk u përfshi në listën finale, ish-kryeministri britanik mund të zëvendësohet nga një jovertebror nëse publiku zgjedh një flutur ose një bletë. Përkrahësit e Churchill-it nuk do të kenë mundësinë të votojnë për simbolin tradicional të bulldogut britanik. Banka sqaroi gjithashtu se nuk do të pranohen specie të huaja apo kafshë shtëpiake.
“Vetëm kafshët e listës së publikuar sot mund të përdoren si imazhe qendrore në serinë e re të kartëmonedhave. Ne nuk po kërkojmë kandidatura të tjera”, deklaroi institucioni.
Përveç Churchill-it, nga kartëmonedhat mund të zhduken gradualisht edhe figura të tjera historike që shfaqen aktualisht në to, si shkrimtarja Jane Austen, piktori J.M.W. Turner dhe matematikani Alan Turing.
Publiku ka afat deri më 3 korrik për të votuar, duke zgjedhur deri në dy kafshë në secilën kategori. Nga ky proces do të dalë një listë finale me katër fitues.
Megjithatë, vendimi përfundimtar nuk do t’i takojë votuesve. Fjalën e fundit do ta ketë guvernatori i Bankës së Anglisë, Andrew Bailey.
Bailey, i cili në media është pagëzuar me nofkën “breshka seksi”, do të ketë votën vendimtare për të siguruar që secila kartëmonedhë të ketë identitet të dallueshëm.
Dhe meqenëse asnjë zvarranik nuk është përfshirë në garë, bretkosa e zakonshme mund të ketë avantazh në këtë konkurs të pazakontë për të fituar një vend në portofolët e britanikëve.
Lini një Përgjigje