Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u ka drejtuar një mesazh të fortë ushtarëve të rinj rusë që po nisen drejt frontit të luftës në Ukrainë, duke i paralajmëruar ata dhe familjet e tyre që të mos bien pre e asaj që ai e cilësoi si mashtrim nga autoritetet ruse.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Kiev me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, Rutte deklaroi se të rinjtë që regjistrohen për të luftuar po dërgohen në vijën e parë pa përgatitjen e nevojshme dhe me pajisje të pamjaftueshme për t’u përballur me forcat ukrainase.
“Po mashtroheni. Burra si ju që regjistroheni për të luftuar nuk do të stërviteni. Pajisjet që do t’ju japin do të jenë të dobëta”, u shpreh Rutte.
Kreu i NATO-s paralajmëroi se rreziku për ushtarët rusë në front mbetet shumë i lartë, duke theksuar se shumë prej tyre mund të humbin jetën ose të mbeten të plagosur rëndë.
“Ka një probabilitet shumë të lartë që të vdisni ose të plagoseni ndërsa jeni atje dhe, nëse plagoseni, mund të liheni të vuani në baltë dhe të vdisni”, deklaroi ai.
Rutte shtoi se këto zhvillime tregojnë se Rusia po përballet me vështirësi në vazhdimin e luftës, duke e përshkruar Moskën si “gjithnjë e më të dëshpëruar”.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur luftimet në Ukrainë vijojnë me intensitet, ndërsa të dyja palët po përpiqen të forcojnë kapacitetet e tyre ushtarake në terren.
Lini një Përgjigje