Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka pranuar se ka pasur “mosmarrëveshje taktike” me presidentin amerikan Donald Trump, por theksoi se të dy udhëheqësit pajtohen plotësisht për çështjet strategjike kryesore lidhur me Iranin.
Në një intervistë për CNBC, Netanyahu reagoi ndaj raportimeve të fundit në media amerikane, sipas të cilave Trump e kishte quajtur kryeministrin izraelit “të çmendur” gjatë një bisede telefonike. Netanyahu minimizoi tensionet, duke thënë se dyshja kanë komunikim të rregullt dhe flasin mesatarisht çdo dy ditë.
“Ne pajtohemi për gjërat kryesore lidhur me Iranin. Ka pasur ndonjëherë mosmarrëveshje taktike, por kjo është normale midis aleatëve,” tha Netanyahu.
Sipas tij, lufta kundër Iranit “nuk ka mbaruar”, por Teherani është dobësuar ndjeshëm. Ai shtoi se forcat izraelite dhe amerikane janë plotësisht të gatshme për çdo skenar ushtarak, por theksoi se vendimin përfundimtar për një përshkallëzim të mëtejshëm do t’ia lërë presidentit Trump.
“Ne ushtrojmë presion në rritje mbi Iranin, por ende nuk kemi rënë dakord për çështjen e nxjerrjes së materialit bërthamor”, deklaroi Netanyahu.
Komentet e tij vijnë pasi Trump deklaroi së fundmi se Irani ka rënë dakord tashmë se nuk do të ketë një armë bërthamore.
Netanyahu nuk dha detaje të reja konkrete për negociatat aktuale, por ripohoi qëndrimin e vendosur të Izraelit se nuk do të lejojë që Irani të zhvillojë armë bërthamore.
Ai e përshkroi bashkëpunimin me administratën Trump si “të fortë dhe të vazhdueshëm”, pavarësisht dallimeve taktike të herëpashershme.
Lini një Përgjigje