Donald Trump zbuloi se Mojtaba Khamenei është i përfshirë në një farë mënyre në negociatat e paqes mes SHBA-së dhe Iranit, gjatë një interviste që dha për podcastin “Podforce One” të Neë York Post.
Njëkohësisht, ai tha se Teherani ka rënë dakord të mos zhvillojë armë bërthamore, ndërsa la të hapur mundësinë që në një moment të takohet me udhëheqësin e ri suprem të Iranit.
“Irani tashmë ka rënë dakord që nuk do të sigurojë armë bërthamore. Mund të ndryshojë mendim, por kjo ishte gjëja më e rëndësishme”, tha presidenti amerikan gjatë intervistës, duke shtuar: “Ajatollahu është i përfshirë në bisedime, ai gëzon shumë respekt”.
Në një tjetër pjesë të intervistës, Trump u pyet për telefonatën e tensionuar që pati me Benjamin Netanyahun ditët e fundit. Presidenti amerikan konfirmoi raportimet e Axios se e kishte quajtur kryeministrin izraelit “të çmendur”, duke thënë: “Po, e bëra. Gjithmonë zemërohem. Isha pak i irrituar me të, sepse vazhdonte të luftonte me Libanin... E dini, në një moment thashë se duhet ta ndalim këtë”.
“Kemi bashkëpunuar shumë mirë. Më pëlqen shumë Bibi dhe punojmë në mënyrë të shkëlqyer së bashku”, shtoi Trump, duke këmbëngulur se reagimi i tij kishte të bënte me kërkesën për ndërprerjen e sulmeve.
Presidenti amerikan e përshkroi veten si “president në kohë lufte” dhe e cilësoi Netanyahun si “kryeministër në kohë lufte”. Pavarësisht shqetësimeve se përplasjet dytësore mund të sabotojnë procesin më të gjerë të paqes, ai mbetet optimist se një marrëveshje mund të arrihet “shumë shpejt”.
Trump deklaroi gjithashtu se çmimet e larta të naftës, të cilat sipas tij arrijnë aktualisht në 98 dollarë për fuçi, nuk përbëjnë një kosto të rëndësishme përballë kërcënimit të armëve bërthamore iraniane. Ai argumentoi se një memorandum mirëkuptimi mund të hapte Ngushticën e Hormuzit edhe brenda javës, duke kufizuar krizën energjetike që ka rritur çmimet e karburanteve dhe inflacionin.
Megjithatë, negociatat kanë pësuar disa vonesa për shkak, ndër të tjera, të mundësisë së tërheqjes së palës iraniane dhe procedurave të gjata të sigurisë për mbrojtjen e Mojtaba Khameneit. Trump tha se nuk është me nxitim dhe shtoi se ndalimi detar rreth Ngushticës mund të mbetet në fuqi deri në Ditën e Punës, të hënën më 7 shtator.
Pavarësisht sfidave, presidenti theksoi se bisedimet me Iranin “po zhvillohen me shpejtësi”, se SHBA-ja nuk do të lejojë që Irani të sigurojë armë bërthamore dhe se “do të ndodhin shumë gjëra të tjera pozitive”.
Trump:
— Clash Report (@clashreport) June 3, 2026
Iran have already agreed that they will not have a nuclear weapon. They can change their mind, but that was the big thing. pic.twitter.com/QCCC0VgdeZ
Lini një Përgjigje