Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, mbrojti sulmet e fundit të vendit të tij ndaj objekteve dhe bazave amerikane në Lindjen e Mesme, duke i cilësuar ato si veprime të ligjshme vetëmbrojtjeje.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Araghchi tha se forcat iraniane po reagojnë ndaj veprimeve që, sipas Teheranit, cenojnë armëpushimin dhe sigurinë e vendit.
“Forcat tona të armatosura po kryejnë sulme vetëmbrojtëse në vendet që SHBA-të lejohen të përdorin për të sulmuar anijet civile dhe për të shkelur armëpushimin. Çdo akt armiqësor do të përballet me një përgjigje të menjëhershme dhe vendimtare”, shkroi ai.
Deklarata vjen pasi forcat iraniane shënjestruan baza amerikane në Kuvajt dhe Bahrein, si dhe një anije në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për tregtinë globale të energjisë.
Tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara janë rritur sërish gjatë ditëve të fundit, me të dyja palët që kanë kryer sulme të ndërsjella pavarësisht ekzistencës së një armëpushimi të shpallur më herët.
Megjithëse as Teherani dhe as Uashingtoni nuk kanë deklaruar zyrtarisht fundin e armëpushimit, të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes dhe për veprime që rrezikojnë stabilitetin rajonal.
Në të njëjtën kohë, kanalet diplomatike mbeten të hapura dhe bisedimet mes palëve po vazhdojnë. Burime diplomatike bëjnë të ditur se janë shënuar disa përparime në negociata, megjithëse situata në terren mbetet e brishtë dhe e paqëndrueshme.
Lini një Përgjigje