TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota16 Prill 2026, 08:39

Shkon në 9 numri i viktimave nga sulmi tragjik me armë në Turqi, dëshmitë e nxënësve: Babi, shoku im u plagos

Shkruar nga Pamfleti
Shkon në 9 numri i viktimave nga sulmi tragjik me armë në Turqi,
Ambulanca jashtë shkollës 'Ayser Çalik'

Të paktën tetë nxënës dhe një mësues kanë humbur jetën, ndërsa disa të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi me armë në një shkollë në jug të Turqisë, sipas ministrit të Brendshëm, Mustafa Çifçi.

Ngjarja ka ndodhur në shkollën e mesme “Ayser Çalik” në zonën e Kahramanmaraşit, ku, sipas autoriteteve, 13 persona janë plagosur, gjashtë prej tyre në gjendje kritike.

Autori i dyshuar, një 14-vjeçar dhe nxënës i kësaj shkolle, ka mbetur gjithashtu i vrarë. Ai dyshohet se ka hyrë në dy klasa i armatosur me pesë armë dhe shtatë karikatorë. Sipas guvernatorit lokal Mukerrem Ünlüer, armët i përkisnin babait të tij, një ish-oficer policie, i cili është vënë në pranga.

Motivi i sulmit të ndodhur të mërkurën mbetet ende i panjohur, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet. Në disa pamje të publikuara, shihen persona që hidhen nga dritaret e katit të parë dhe largohen me vrap nga ambientet e shkollës gjatë momentit të të shtënave.

“Zhurma e armëve ishte shumë e fortë,” është shprehur një gazetar, duke përshkruar gjithashtu situatën e panikut jashtë shkollës. Pas përhapjes së lajmit, prindër të shumtë u mblodhën të shqetësuar përpara ndërtesës.

“Fëmija im e pa gjithçka dhe më tha: ‘Babi, shoku im u plagos’,” ka rrëfyer një prind për AFP, duke shtuar: “Si do t’i çoj sërish fëmijët e mi në këtë shkollë?”

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka reaguar përmes një postimi në rrjetin X, duke u uruar “shërim të shpejtë fëmijëve, familjeve dhe mësuesve”.

Ngjarja vjen vetëm një ditë pas një tjetër incidenti të ngjashëm në jug të vendit, ku 16 persona u plagosën kur një ish-nxënës hapi zjarr në një shkollë të mesme, përpara se të vriste veten.

Lini një Përgjigje