Dhjetëra të plagosur në sulmet me raketa dhe dronë rusë në qytetet kryesore të Ukrainës
Të paktën 14 persona u vranë gjatë natës në Ukrainë nga sulmet ajrore ruse, sipas autoriteteve ukrainase.
Konkretisht, 7 në Odessa, 4 në Kiev dhe 3 në rajonin e Dnipropetrovskit, humbën jetën në sulmet ruse me raketa dhe dronë, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën.
Në Kiev, "katër persona u vranë përfshirë një djalë 12-vjeçar", tha kryebashkiaku i kryeqytetit ukrainas, Vitali Klitschko, duke shtuar se "45 banorë u plagosën", përfshirë punonjës të shëndetësisë. Sipas Klitschkos, sulmet ruse ndaj Kievit vazhdojnë këtë mëngjes.
"Në lagjen Podilskyi, ku u shemb kati përdhes i një ndërtese private banimi, një fëmijë u shpëtua nga rrënojat", përshkroi ai. Në të njëjtin lagje, një dron që fluturonte në lartësi të ulët u rrëzua në një ndërtesë apartamentesh 18-katëshe, vuri në dukje Klitschko.
Ndërkohë, në Odessa, në jug të Ukrainës, të paktën shtatë persona u vranë kur qyteti u shënjestrua nga “disa valë sulmesh me dronë dhe raketa gjatë natës”, tha kreu i komandës ushtarake lokale, Serhiy Lysak.
Për më tepër, Guvernatori i Odesës, Oleh Kiper, vuri në dukje se infrastruktura në portin e qytetit u dëmtua nga sulmet ruse.
Në të njëjtën kohë, u raportuan dëme në të paktën tre ndërtesa shumëkatëshe, një konvikt dhe ndërtesa të tjera, ndërsa u shkaktuan edhe zjarre.
Tre persona u vranë në rajonin e Dnipropetrovskit në një sulm rus, tha kreu i komandës ushtarake lokale, Oleksandr Ganza.
Nga ana e saj, Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan se kanë rrëzuar ose neutralizuar 31 raketa ruse dhe 636 dronë gjatë 24 orëve të fundit.
“Gjatë kësaj kohe, armiku nisi dy valë sulmesh të koordinuara kundër territorit ukrainas duke përdorur raketa të lëshuara nga toka dhe ajri, si dhe dronë sulmues”, thanë Forcat Ajrore në një deklaratë.
Në total, ajo zbuloi 703 objektiva ajrore ruse.
Bisedimet midis Rusisë dhe Ukrainës nën patronazhin e SHBA-së nuk kanë lejuar asnjë përparim drejt një marrëveshjeje paqeje.
Në të njëjtën kohë, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky po kërkon të forcojë aleancat e tij, kryesisht me evropianët.
Dje, kryeministrja italiane Giorgia Meloni njoftoi forcimin e bashkëpunimit dypalësh në sektorin e mbrojtjes, kryesisht në prodhimin e dronëve.
Të martën, Zelensky njoftoi një marrëveshje strategjike në fushën e mbrojtjes dhe dronëve me Gjermaninë dhe forcoi bashkëpunimin e Ukrainës me Norvegjinë në të njëjtat fusha.
“Ne kemi nevojë për raketa mbrojtëse ajrore çdo ditë, çdo ditë që rusët vazhdojnë sulmet e tyre në qytetet tona”, shkroi dje presidenti ukrainas në X.
Lini një Përgjigje