Pas publikimit në platformën Truth Social të një imazhi të krijuar me anë të inteligjencës artificiale, ku ai paraqitej si Jezu Krishti, por edhe përplasjes publike me Papa Leonin, të dhënat e sondazheve sugjerojnë se presidenti Donald Trump mund të jetë duke humbur shumë mbështetje mes votuesve katolikë...
Postimi i presidentit amerikan Donald Trump, në të cilin ai shfaqej në një postim ironizues si Jezu Krishti që ndihmonte Papa Leonin që lëngonte i sëmurë në shtrat, përkoi me disa rezultate sondazhesh që tregojnë rritje të pakënaqësisë në mesin e këtij elektorati.
Trump deklaroi të hënën se e kishte shpërndarë imazhin sepse mendonte se e paraqiste si një mjek që shëron njerëz, por dëmi në perceptimin publik tashmë ishte shkaktuar. Edhe në vetë Truth Social, ku zakonisht postimet e tij gjejnë mbështetje të gjerë nga simpatizantët, u shfaqën shenja të qarta pakënaqësie, përfshirë shumë komente plot mllef nga disa përdorues.
“Zoti President, me gjithë respektin që kam, hiqeni këtë. Ju nuk jeni Jezusi!” - shkroi një përdorues që e përshkruante veten si “besimtar i Biblës, i frikësuar nga Zoti, ndjekës i Jezusit, patriot amerikan, ultra-MAGA”.
Ai shtoi: “Nëse këtë e ka bërë dikush nga stafi juaj, atëherë pushojeni nga puna dhe kërkoni falje të krishterëve për këtë tallje”. Guvernatori demokrat i Kalifornisë, Gavin Newsom, katolik, reagoi duke publikuar një version të ndryshuar të imazhit, ku Trump paraqitej si një vdekatar, ndërsa në sfond shfaqej Jeffrey Epstein.
Trump nuk kërkoi falje dhe nuk bëri tërheqje publike nga qëndrimi i tij, edhe pse pas disa orësh e hoqi postimin. Gjithashtu i qëndroi kritikave ndaj Papa Leonit, duke e quajtur “të dobët ndaj krimit” dhe “të tmerrshëm për politikën e jashtme”.
Nga ana tjetër, ka tregues më të gjerë se një pjesë gjithnjë e më e madhe e votuesve katolikë po e rishqyrton mbështetjen për Trump. Rezultatet e fundit në nivel lokal dhe jo vetëm, tregojnë një rënie të përkrahjes për të, veçanërisht ndër votuesit hispanikë, të cilët në zgjedhjet e vitit 2024 ishin afruar me të.
Trump fitoi shumicën e votës së katolikëve me një diferencë prej 12 për qind. Sot, vetëm 48 për qind e miratojnë punën e tij si president, ndërsa 52 për qind shprehen kundër - një rënie prej 16 për qind.
Përsa i përket mënyrës se si ai ka drejtuar luftën në Iran, 40 për qind e tyre shprehen në mbështetje dhe 60 për qind kundër, sipas një sondazhi të përbashkët të Shaw & Co Research (republikan) dhe Beacon Research (demokrat).
Pakënaqësia u theksua edhe nga dalja e tre kardinalëve më të njohur të vendit në programin “60 Minutes” të CBS, ku ata mbështetën fuqishëm qëndrimin kundër luftës të Papës.
Kardinali Robert McElroy i Uashingtonit u shpreh: “Në mësimin katolik kjo nuk është një luftë e drejtë. Duhet të kesh një qëllim të qartë: të rikthesh drejtësinë dhe paqen”. Kardinali Joseph Tobin i Newark-ut shtoi: “Papa është bariu i botës. Nuk është analist politik. Ai flet për gjërat që kanë rëndësi”.
Në zgjedhjet e fundit të vitit 2024, Trump mori 55 për qind të votës katolike kundrejt 43 për qind që shkuan për Kamala Harris. Në vitin 2020, Trump mori 52 për qind të votës katolike, ndërsa Joe Biden 49 për qind.
“Katolikët janë votues që lëvizin” - thotë John White, profesor i shkencave politike në Universitetin Katolik të Amerikës. Rreth një e katërta e votuesve amerikanë kanë prejardhje katolike. “Ata votuan për Biden në 2020, për Trump in 2024-ën dhe tani janë të pavendosur. Dhe nuk mbeten të paprekur nga pasojat ekonomike të luftës në Iran dhe tarifave” - shton ai.
White vuri në dukje se reagimi ndaj imazhit të Jezu Krishtit ishte shumë më i fortë sesa ndaj postimit të vitit të kaluar, ku Trump paraqitej me petkat papnore, çka sugjeron se edhe brenda mbështetësve të tij po ndryshon qëndrimi.
Ai përmendi një sërë faktorësh të grumbulluar që mund ta shpjegojnë këtë ndryshim. Votuesit hispanikë janë veçanërisht të pakënaqur me përpjekjet e Trump për të hequr të drejtën e shtetësisë me lindje apo edhe fushatën e dëbimeve masive, ndërsa disa emigrantë janë arrestuar në gjykatë teksa përpiqeshin të rregullonin statusin e tyre.
Kjo situatë mund të ndikojë në zgjedhjet e mesit të mandatit në nëntor, kur do të zgjidhet sërish Kongresi së bashku me një të tretën e Senatit.
“Mund të shohësh shtete si Arizona, Nevada, Kalifornia dhe Teksasi, me popullsi të lartë hispanike - veçanërisht përgjatë kufirit Teksas-Meksikë - ku Trump arriti rezultate mbresëlënëse. Por duket se ato po zbehen me shpejtësi” - nënvizon White.
“Por mua më intereson gjithashtu të shoh se ku janë të pozicionuar katolikët e bardhë, sepse ata kanë qenë grupi që është zhvendosur më shumë drejt republikanëve gjatë dekadave, nga kulmi me Kennedy dhe Johnson te Nixon e më pas Reagan. Aty ka qenë baza më e fortë e mbështetjes për Trump mes katolikëve” - deklaron eksperti.
Përveç atyre me prejardhje irlandeze dhe italiane, të përqendruar kryesisht në verilindje të Shteteve të Bashkuara, ka edhe katolikë me prejardhje polake dhe ukrainase që meritojnë vëmendje.
“Disa thonë se nuk ekziston një votë katolike, sepse kjo nuk është gjëja e parë që njerëzit marrin parasysh kur hyjnë në kutinë e votimit, krahasuar me përkatësinë partiake. Por mendoj se kemi arritur në një pikë ku katolikët nuk mund ta shpërfillin atë që po thuhet dhe po ndodh” - përfundoi White./Pamfleti nga “The Times”
Lini një Përgjigje